Platini mendon se Varane e meriton Topin e Artë

Ish presidenti i UEFA-s, Michel Platini beson se Raphael Varane e meriton Topin e Artë për shkak se e ka fituar Champions Leaguen me Real Madridin dhe Kupën e Botës me Francën.

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë dominuar këtë çmim individual në dekadën e fundit duke e fituar secili nga 5 herë, por duket se ky edicion është ai i duhuri për t’i dhënë fund dinastisë së kësaj dysheje.

Luka Modric cilësohet si favoriti kryesor për të triumfuar në këtë garë, por për Michel Platini duhet të jetë një futbollist francez dhe këtë më së shumti e meriton mbrojtësi i Real Madridit, Varane.

“Asnjëherë nuk ka qenë më e lehtë se këtë vit të zgjedhësh fituesin e Topit të Artë. Shpresoj se do të jetë një francez. Varane është futbollisti i vetëm që ka fituar Championsin dhe Kupën e Botës. Gjithmonë ekziston debati Messi-Ronaldo, por këtë vit nuk duhet të ketë diçka të tillë. Varane është një lojtar i shkëlqyeshëm, vota ime do të shkonte për të”, deklaroi Platini.

Kylian Mbappe dhe Antonine Griezmann janë llogaritur më favoritë për të triumfuar nga futbollistët francezë por Platini insiston se duhet të jetë triumfues ai që ka fituar më së shumti trofe gjatë sezonit që e lamë pas.