Pjesëtari i UDB-së, në dokumentarin e Kosovës

Përhapja e propagandës dhe dezinformatave për të penguar demokracitë perëndimore ka bërë që dokumentari “VIRUSSIA” ta zbërthejë në detaje luftën hibride që bëhet nga ana e Federatës Ruse.

Autori dhe skenaristi i këtij cikli të dokumentarëve, Mentor Shala ka folur për Telegrafin, duke potencuar se nevoja për të treguar ndikimin rus, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ka lindur nevoja për ta bërë këtë projekt.

Në këtë intervistë, ai thotë se rusët kanë bërë dëme të mëdha, duke tentuar të pengojnë integrimet euroatlantike të vendeve të rajonit.

Shala shton se rusët vazhdimisht tentojnë ta mbajnë ndikimin në Ballkan, ku sipas tij, viteve të fundit ka pasur një intensifikim të sulmeve të tyre në të gjitha segmentet.

Ai tregon se Rusia e përdorë Kishën Ortodokse për arritjen e qëllimeve të saj, me anë të sigurisë, propagandës, diplomacisë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Në këtë dokumentar, përmendet edhe Darko Trifunoviq, ish pjesëtar i shërbimit sekret serb – UDB.

Duke konstatuar se ndjeshmëria e Kosovës ndaj organeve të sigurisë të Serbisë është shumë negative, Shala është pyetur se pse e kanë përfshirë njërin nga eksponentët, siç është Darko Trifunoviq, e shërbimeve sekrete serbe në këtë dokumentar?

Shala është përgjigjur kështu:

Për ne ishte me rëndësi që të kemi personalitete të cilët e njohin shumë nga afër situatën. Dhe po, është e vërtetë që Trifunoviq ishte pjesë e shërbimeve sekrete serbe. Por, a ma thoni ju, kush më mirë se ai në këtë rast është i informuar për infiltrimin rus pothuajse në të gjitha institucionet e Serbisë. Dhe ka disa vjet që Trifunoviq flet për rrezikun e ndikimit rus në Serbi dhe vendet e Ballkanit. Gjithashtu, ai është shumë kritik ndaj pushtetit në Serbi pikërisht për këtë arsye. Dhe duke qenë se ka qenë pjesë e strukturave të sigurisë në Serbi vetëm sa e rrit kredibilitetin e qëndrimeve të cilat ai i thotë për ndikimin rus, sepse ka qenë në zemër të informacionit sekret në Serbi. /Ballkani.info/