Pjesëmarrja e ulët| Sveçla thotë se zgjedhjet në veri do të prodhojnë “qeverisje shembullore”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pret që zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore do të prodhojë “qeverisje shembullore”, pavarësisht pjesëmarrjes tepër të ulët të votuesve.

Ndërsa Serbia i konsideron jodemokratike dhe jolegjitime zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, Sveçla tha se bojkoti do të bëhet ” i paqëndrueshëm”.

“Do të jetë një administrim apo qeverisje shembullore e këtyre kandidatëve të cilët do ta kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës dhe gjithë këtë bojkot do ta bëjnë të paqëndrueshëm”, tha ai në një prononcim për televizionin publik.

Sveçla tha se Kosova “nuk mund të mbahet peng i shantazhit të Vuçiqit”.