Pjanic thotë se Juventusi duhet ta respektojë Manchester Unitedin

Manchester Unitedi ka kualitete të mjaftueshme për t’i hapur probleme Juventusit në përballjen e së mërkurës, mendon Miralem Pjanic.

Juventusi e fitoi 0-1 ndeshjen e parë në “Old Trafford” me Paulo Dybalan që e realizoi golin e vetëm. Kampionët e Italisë nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes në të gjitha kompeticionet, ndërsa do të siguronin kualifikimin për në fazën tjetër me një fitore potenciale ndaj “Djajve të Kuq”.

Sidoqoftë Pjanic pret që ky mision të jetë i vështirë për t’u realizuar për arsye se përballë do ta kenë një skuadër më lojtarë kualitativ dhe trajner të madh.

“Pogba është futbollist i madh sikur Matic, Fred apo Mata. United përbëhet nga futbollistë me kualitet të lartë, na duhet të përballemi me ta sikur bëmë në ndeshjen e parë. Në Manchester luajtëm shumë mirë ndërsa mund të shënonim edhe më shumë gola, shpresoj se në Torino do ta realizojmë këtë, por nuk duhet harruar se do të ballafaqohemi me një skuadër të madhe. Në Champions nuk ka asgjë të garantuar, ne jemi pjesë e disa skuadrave që duan t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni, por është një udhëtim i gjatë”, u shpreh Pjanic.

Mesfushori boshnjak u zëvendësua 20 minuta para fundit të takimit të fituar 3-1 kundër Cagliarit në fundjavë, por 28 vjeçari konfirmoi se do të jetë i gatshëm për përballjen me Manchester Unitedin.