Inter – Juventus duhej të ishte ballafaqimi më i qetë në vitet e fundit, por jo.

Pas derbit italian pati mjaft polemika, që kulmuan me përplasjen e fortë e të drejtpërdrejtë televizive mes Massimiliano Allegrit dhe Daniele Adanit.

Ai që mban anën e trajnerit është Miralem Pjanic, me këto deklarata të raportuara nga “Repubblica”.

“Duke folur si Adani për ne është mungesë respekti. Allegri ka të drejtë, ka kaq shumë njerëz që flasin shumë dhe nuk kuptojnë shumë për këtë”.

Ka analiza të ndryshme mbi qasjen taktike që përdor Allegri, edhe kritika, por ai ka fituar gjashtë tituj në Serie A, në karrierën e tij. Pjanic beson në një përmirësim të situatës edhe në Europë, ku, krahasuar me Serie A, bardhezinjtë hasin mjaft vështirësi.

“Nuk e di se çfarë do të thotë saktësisht se si duhet të luajmë futboll më të mirë, por sigurisht duhet të mësojmë të bëjmë më tepër, sidomos në Europë, ku nuk mund të dominojmë në lojë. Mendoj se kemi njerëz që janë shumë të përgatitur, duke filluar me Allegrin, i cili po punon në këtë drejtim”, – shtoi boshnjaku.

Së fundi, diskutimi kalon mbi të ardhmen e vet, nisur nga zërat që e shohin në radarët e klubeve të tjera prestigjioze, si Real Madrid, ose Barcelona: “E ardhmja ime nuk dihet. Nuk duhet të më pyesni mua për këtë.”