Andrea Pirlo, nga studiot e “Sky Sport” lëshon kritika të forta ndaj dyshes së Totenhamit, Eriksen-Dele Ali, por çuditërisht kritikon edhe paraqitjen e Divok Origit, autorit të golit që vulosi finalen e Championsit në favor të Liverpoolit në minutën e 87-të(2-0).
Pavarësisht dopietës ndaj Barcelonës në përmbysjen e çmendur në gjysmëfinalen në “Anfield” dhe golit në finalen e Madridit, ish kampioni italian nuk mbeti i surprizuar për mirë nga sulmuesi belg i Klopp.
“Divok Origi hyri shumë keq në fushë. Ajo e tij nuk ishte një sjellje e duhur për një finale Championsi. Nuk më pëlqeu aspak. Nëse nuk do të kishte shënuar, do ishte për t’u rrahur”.
Ish mesfushori i Milanit dhe Juventusit nuk kursen as dy yjet të skuadrës së Pochetinos.
“Tottenhami tregoi mungesë karakteri. Kishte lojtarë si Cristian Eriksen dhe Dele Ali të cilët nuk e donin topin. Kishte shumë pak cilësi në mesfushë dhe incidenti i penalltisë bëri të gjithë diferencën. Por mos më keqkuptoni. Ky është një trofe totalisht i merituar nga skuadra e Liverpoolit për sezonin që ka bërë, por edhe për tifozët e tyre të mrekullueshëm”.
Në të njëjtin mendim me opinionistin 40-vjeçar, ishte edhe redaksia e spanjolles “Marca”, që paraqitjes së Dele Alit nuk i vuri fare notë.







