Pirlo ua hedh fajin lojtarëve për humbjen e Juventusit kundër Fiorentinës

Andrea Pirlo nuk ka dashur ta fajësojë përjashtimin e Juan Cuadrados nga loja për humbjen e thellë të Juventusit kundër Fiorentinës por e ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e lojtarëve të vet para dhe gjatë ndeshjes.

Juve e përjetoi disfatën e parë në Serie A nën udhëheqjen e trajnerit Pirlo, për të cilin ishte ndeshje e 13-të në ligë, duke u mundur 3:0 të martën në Allianz Stadium.

Cuadrado bëri ndërhyrje të ashpër dhe tejet të rrezikshme ndaj Gaetano Castrovillit dhe si pasojë u përjashtua nga loja me karton të kuq në minutën e 18-të.

Dusan Vlahovic e kishte kaluar Fiorentinën në epërsi pas vetëm tre minutave lojë dhe Juve nuk kishte përgjigje, sepse më vonë i pranoi edhe dy gola të tjerë, një autogol nga Alex Sandro dhe një tjetër nga ish-mbrojtësi i vet Martin Caceres.

Pirlo e pranoi se skuadra e tij dështoi plotësisht.

“Ajo çfarë ndodhi me kartonin e kuq nuk mund të përdoret si arsyetim. Rezultati nuk është ky që është për shkak të qëndrimit të Fiorentinës por për shkak se neve na mungoi qëndrimi”, tha Pirlo.

“Kur ndodh kështu përballesh me situata si kjo. Në ndeshje para Krishtlindjes, ndodh që mendjen ta kesh te pushimet. Ne nuk ishim të përqendruar dhe nuk ia dolëm ta marrim veten”, shtoi ai.