Pirlo thotë se Superliga është projekt i së ardhmes

Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo ka thënë të martën se Superliga është “projekt i së ardhmes”, përderisa ekipi i tij është i fokusuar për të siguruar një vend që sezonin tjetër siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Presidenti i Juventusit, Andrea Angelli, ishte njëri prej iniciatorëve së bashku me Florentino Perezin për formimin e Superligës Evropiane.

Pirlo ka thënë se Agnelli ka vizituar ekipin e tij për t’ua shpjeguar futbollistëve idenë e Superligës.

“Superliga është një zhvillim për botën e futbollit. Ka pasur shumë ndryshime gjatë viteve, nga Liga e Kampionëve te mënyra e lojës dhe rregullat. Por unë nuk jam personi më i mirë për t’ua shpjeguar këtë. Presidenti i klubit është në vijën e parë dhe i takon atij të flasë për këtë”, është shprehur Pirlo.

“Ne jemi përqendruar në atë që duhet të bëjmë aktualisht, që është kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Presidenti na vizitoi dhe na dha besim të madh. Ai përsëriti se gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë punën tonë sepse Champions League duhet të fitohet në fushë. Superliga është vetëm një projekt, lojtarët e dinë që futbolli vazhdon dhe se ata duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përqendruar në të tashmen, duelin me Parman”.