Gerard Pique e ka shprehur mbështetjen e tij për trajnerin e Barcelonës, Ernesto Valverdes, e ardhmja e të cilit së fundmi është vënë në dyshim.
Është raportuar se kontrata që e lidh Valverden me Barcelonën, skadon në fund të këtij sezoni, por presidenti i klubit “Blaugrana”, Josep Bartomeu sqaroi se ish trajneri i Athletic Bilbaos ka marrëveshje të qëndrojë në “Camp Nou” deri në vitin 2020.
Sidoqoftë, të dyja palët e kanë të drejtën e shkëptujes së kontratës, por mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique do të ishte i lumtur nëse Valverde vazhdon të jetë në stolin e kampionëve të Spanjës.
“Do të jetë një vendim që do ta marrë ai dhe ne do ta respektojmë sepse është trajner. Do të ishim të kënaqur nëse Valverde vendos të qëndrojë, ndërsa po bën një punë të mrekullueshme. Ai sjell qetësi dhe rezultate duke treguar se funksionon mënyra e tij e të punuarit”, u shpreh Pique.
Barcelona me fitoren e mbrëmshme 1-2 ndaj Getafes, u distancua me 10 pikë nga rivali i madh, Real Madridi. Por, Pique ka refuzuar ta cilësojë si të përfunduar garën me “Los Blancos”, gjersa ka vlerësuar lartë nisjen e vitit me fitore.







