Pioli i lumtur që Milani u rikthye te fitoret

Milani është rikthyer te fitoret pas pesë ndeshjeve pa të, ku barazuan në dy dhe humbën tre të tjera.

Rossonerët para adhuruesve të vet mposhtën Torinon me rezultat minimal 1-0 falë një goli nga Olivier Giroud.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka thënë se kjo ka qenë një fitore me vlera pasi skuadra ka bërë një hap përpara.

“Absolutisht duhet të mendonim se do te ishte kështu. Prisnim një lojë të vështirë dhe u munduam, por punuam shumë, goli na zhbllokoi mendërisht dhe ishim më mirë më pas”.

“Hap i vogël përpara, por duhej. Punojmë çdo ditë për të marrë rezultate, nuk kemi pasur sukses në muajin e fundit, por duhet të shohim përpara. Synimi është të shkojme në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm”, tha Pioli.

Tutje Pioli foli edhe për ndryshimin e skemës, ndryshim që i riktheu te fitorja kuqezinjtë.

“Trajneri duhet të kuptojë momentin e skuadrës. Duke pasur parasysh ndeshjet e fundit dhe vështirësitë në mbrojtje, ndryshova skemën”.

“Nisja nga një fazë më solide mbrojtëse është synimi ynë. Pavarësisht nga mbrojtja me tre apo katër”, tha Pioli.