Petrovci thotë se Enver Hoxhaj ia mbylli Akademinë e Arteve, shkollën e parë private në Evropën Juglindore

Aktori Enver Petrovci në Rubikon të KTV-së tha se institucionet e Kosovës nuk e përkrahën asnjëherë ashtu siç duhet.

Madje, sipas tij, pas luftës e këndej, atij nuk iu përkrah asnjë projekt, përpos, nënvizon ai, një në kohën sa Astrit Haraqija ishte ministër.

Petrovci përmendi Akademinë e Arteve, e që sipas tij, shkollë kjo që u hap në vitet më të vështira për Kosovën, u mbyll kur Enver Hoxhaj ishte në krye të Ministrisë së Arsimit.

“Prej pasluftës e këndej kurrë një projekt nuk mu ka përkrah, asnjë fare, përpos një projekt ku ka qenë Astrit Haraqija ministër”.

“Përkundrazi edhe ato që i kam bërë, janë mundu me m’i mbyll. Në kohën kur ishte Enver Hoxhaj Ministër për Arsim, ma mbyllën Akademinë”.

“Akademia e Arteve ka qenë shkolla e parë private në Evropën Juglindore, në ’94, pra në kohën më të keqe e kam hap për t’u dhënë shqiptarëve dhe pse i patën marrë krejt ndërtesat dhe se bën edhe kështu, ky ka qenë reagimi im ndaj kohës së atëhershme”, ka thënë ai.

Ai tha se nëse krerët dhe përgjegjësit e institucioneve nuk gjejnë interesa personale, atëherë nuk e përkrahin jo vetëm një artist, po asnjë fushë.