Diplomati austriak

Petritsch për bombardimet e NATO-s: Po të mos ndodhin, Kosova dhe Serbia do të ishin larg nga ku janë sot

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, në prag të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ka thënë se po të mos ndodhin ato, edhe Kosova edhe Serbia sot do të ishin shumë më të zhvilluara.

Ish i dërguari evropian në bisedimet e Rambujesë ka thënë se “të dy vendet sot janë në një pozitë më të mirë, por larg nga ku mund të ishin”.

Në intervistë për Danas, Petritsch duke folur për vendimin e marsit të ’99-ës, ka deklaruar se ka qenë dëshpëruese që nuk u dëgjuan argumentet në favor të kompromisit.

“Ende kam një ndjenjë trishtimi kur kujtoj orët e fundit në Beograd. Ne të gjithë dështuam që nuk arritëm me Rambujenë t’u japim fund viteve me lufta të ’90-ave”.

I pyetur se si e sheh sot periudhën e 25 vjetëve më parë, ai ka thënë: “Lufta kurrë nuk është zgjidhje. Mendoni për Bosnjën dhe Kosovën. Shumë njerëz ishin të prekur nga lufta dhe konfliktet në ish-Jugosllavi dhe ishin të frikësuar për jetën. Një përfundim i trishtë”, është përgjigjur ai, transmeton KlanKosova.tv.

Nëse nuk do të bombardohej, diplomati austriak ka thënë se Serbia do të ishte më e fortë ekonomikisht dhe politikisht.

“Ndoshta do të ishte edhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Petritsch ndër të tjera.

BONUS VIDEO| Jashari për sulmin në Banjskë: Të akuzuarit mund të gjykohen edhe në mungesë, s’ka pengesa