Petkoviç pas aksionit në veri: Kurti me forcat e tij speciale po tenton të frikësoje dhe të dëbojë serbët nga Kosova

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë e Metohi’ Petar Petkovic, reagoi pas aksionit të Policisë së Kosovës në Veri, duke thënë se Kurti me forcat e tij speciale po tenton të frikësoje dhe të dëbojë serbët nga Kosova, shkruan Gazeta Metro.

Disa pjesëtarë të njësisë speciale të policisë së Kosovës dhe doganierë hynë në disa dyqane serbe në komunën e Shtërpcës dhe në veri të Mitrovicës në kërkim të mallrave serbe të kontrabanduara.

Petkovic, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po dërgon forca speciale të armatosura në Shtërpcë me qëllim të frikësimit dhe përpjekjeve për të dëbuar serbët e mbetur duke ushtruar për çdo ditë presion ndaj tyre.

“Kjo është hera e katërt në vetëm pak muaj që Kurti dërgon forca speciale të armatosura në Shtërpcë, të gjitha me qëllim të frikësimit dhe përpjekjes për të dëbuar serbët e mbetur dhe për ndërprerjen e lidhjeve të tyre me zonat e tjera serbe”, tha Petkovic.

Ai theksoi se përkundër obsesionit të Kurtit me Shtërpcen, shtërpcasit nuk bien në provokime dhe janë të vendosur të qëndrojnë e të mbijetojnë në shtëpitë e tyre dhe i vetmi humbës i veprimeve të tilla të paarsyeshme do të jetë Kurti.

“Shteti i Serbisë do të vazhdojë ta ndihmojë Shtërpcën si ekonomikisht, ashtu edhe në mënyra tjera dhe Kurti nuk mund ta pengojë këtë”, tha Petkovic.