Sot janë bërë pesë vjet nga vrasja në detyrë e policit kosovar, Izet Demaj.
Ngjarja tragjike kishte ndodhur në Istog, ku polici Demaj ishte në detyrë kur kishte ndërhyrë heroikisht për të penguar një grabitje të bankës që po ndodhte në qendër të Istogut.
Kamer Metaj ishte personi që kishte kryer grabitjen nën kërcënimin e armëve, duke tronditur shumë punëtorë e kalimtarë rasti.
Në përpjekjen për të penguar këtë akt kriminal, Izet Demaj ishte qëlluar me armë zjarri nga Kamer Metaj, duke ndërruar jetë rrugës për në spital.
Për vrasjen e ish ushtarit të UÇK-së patën reaguar të gjithë krerët e shtetit aso kohe.

Ish presidenti Thaçi e kishte quajtur hero Demajn. “Kosova, fatkeqësisht, sot e humbi një polic të guximshëm në krye të detyrës. Ngushëllime familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës. Izet Demaj është hero i Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi.
Në anën tjetër, ish kryeministri Ramush Haradinaj, pati thënë se ishte tronditur nga humbja e policit dhe ish-ushtarit të UÇK-së.
“Për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të marrë peng, gjatë plaçkitjes së një banke sot, pa menduar për veten e tij, fatkeqësisht ka humbur jetën. Izeti është shembull se si mbrohet jeta e qytetarëve. Ngushëllimet e mia më të thella për familjen Demaj dhe Policinë e Kosovës”, kishte shkruar Haradinaj.
Në ditën e varrimit, ish presidenti Thaçi e shpalli Izet Demajn “Hero të Kosovës”.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në nenin 84(28) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gjithashtu në nenin 6 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave dhe në Rregulloren (P) nr. 04/2016, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin ‘Hero i Kosovës’”, bënte të ditur Zyra e Presidentit.
Sipas komunikatës së Presidencës, urdhri “Hero i Kosovës” u jepet personave që kanë bërë vepra trimërie dhe sakrifice, si dhe që kanë dëshmuar veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë lufte apo paqeje. Vendimi, certifikata dhe urdhri “Hero i Kosovës” do t’i dorëzohen familjes Demaj”, thuhej në njoftim.
Polici Izet Demaj ishte i martuar dhe baba i dy vajzave. /Ballkani.info/
BONUS VIDEO: Lufta e Bajraktarëve







