Qeveria e re

Pesë gratë që priten të drejton dikasteret më të rëndësishme në Qeverinë Kurti

Qeveria e re e Kosovë pritet që të formohet gjatë javës në vazhdim. Albin Kurti me gjasë do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit, ndërkaq ekzekutivi i drejtuar nga ai do t’i ketë pesë gra udhëheqëse të ministrive.

Të hënën, më 22 mars, pritet që të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ndërsa pas kësaj, do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë.

Qeveria Kurti do t’i ketë gjithsej 15 ministri, ndërkaq pesë prej tyre do të udhëhiqen nga gratë. Kjo sot u konfirmua edhe nga anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Bazuar sipas disa informacione brenda LVV-së bëhet e ditur se pesë gratë që do të udhëheqin ministritë janë Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla-Schwarz, Rozeta Hajdari, Arbërie Nagavci dhe Emilia Rexhepi.

Albulena Haxhiu pritet që të kthehet si ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 2.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’i besohet Donika Gërvalla-Schwarz, e cila vjen nga lista “Guxo” e Vjosa Osmanit.

Rozeta Hajdari do të udhëheqë me ministrinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit, ndërkaq, Arbërie Nagavci është një ndër emrat e përfolur për ministre të Arsimit.

Emilia Rexhepi e cila vjen nga komunitetet pakicë, pritet që të emërohet ministre e Pushtetit Lokal.