Përvjetori i Demarkacionit, si i gënjeu Kurti përkrahësit e tij duke thënë se do ta ndryshonte marrëveshjen me Malin e Zi?

Sot, bëhen pesë vjet që kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi, e gati edhe dy vite Qeverisje që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit. Ky i fundit u pati zotuar dhe me këmbëngulje ka deklaruar se do ta ri-ratifikojë këtë marrëveshje, që vazhdimisht e ka proklamuar si të dëmshme.

Me ardhjen në pushtet të Dritan Abazoviqit në Mal të Zi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pati zotuar vjet se do të merren me çështjen e Demarkacionit, marrëveshje kjo që para se të ratifikohej subjekti politik i Kurtit hidhte edhe gaz lotsjellës për ndalimin e zbatimit në tempullin e demokracisë, Kuvendin e Kosovës. Por, që nga viti i kaluar shefi i Qeverisë së Kosovës e ka hedhur prapa krahëve këtë kauzë.

Në mars të vitit të kaluar, Kurti deklaronte se po e priste formimin e Qeverisë malazeze që të diskutohej çështja e demarkacionit, që sipas tij, ia merrte Kosovës 8200 hektarë.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje [demarkacionin] për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, deklaronte ai pas një vizite që ia bënte një shkolle në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, synimet e Kurtit për një rishikim të mundshëm të marrëveshjes së demarkimit të kufijve mes Kosovës dhe Malit të Zi morën fund nga kryeministri shqiptar në Mal të Zi, Dritan Abazoviq. Ai e cilësoi një gjë të tillë çështje të kryer.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Malin e Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, deklaroi vjet Abazoviq.

As Kurti e as presidentja Osmani sa herë që janë takuar me përfaqësuesit e lartë politik të Malit të Zi nuk e kanë përmendur më çështjen e Demarkacionit që nga viti i kaluar.

Kurti është takuar vjet nëpër forume ekonomike e diplomatike me Abazoviqin, por as që e ka diskutuar çështjen e demarkimit të kufijve.

Bashkëpunëtorja politike e Albin Kurtit, Vjosa Osmani, e ka shpallur çështje të mbyllur atë për të cilën u hodh gazlotsjellës në Kuvend të mos votohej – Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Osmani, e cila dikur edhe dilte kundër shefit të saj në LDK në mënyrë që ta kundërshtonte Demarkacionin, në një intervistë për mediat në Mal të Zi pati deklaruar se për të është çështje e mbyllur.

“Jo. Unë jam këtu para së gjithash për të parë se si mund të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi. Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”, deklaronte ajo.

Gazlotsjellësi që hidhte Kurti në Kuvend për kundërshtimin e marrëveshjes së Demarkacionit pasonte me dënimin e tij me kusht për përdorim të armës, gjë që ia pamundësonte kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës. Kjo për shkak se ishte i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit, që binte në kundërshtim me rregullat e KQZ-së për certifikimin e tij.

Për çështjen e gazit lotsjellës po vazhdon të gjykohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ministrja në paraqitjen e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë përgjatë rigjykimit vlerësoi se gazi lotsjellës nuk kategorizohet si armë.