Përsëritet ndeshja e grushtave, por rregullorja e FIFA-së thotë tjetër gjë

Fushë Kosova dhe Vjosa do të zbresin edhe njëherë tjetër në fushën e lojës, jo për ta vazhduar ‘meçin’ e boksit aty ku kishin mbetur, por për të zhvilluar një 90 minutësh të plotë futbolli. Kështu të paktën ka vendosur Komisioni i Garave në Ligën e Dytë të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili ka marrë një vendim sa befasues, aq edhe historik, pasi që kjo është hera e parë në histori të futbollit Kosovar që përsëritet një ndeshje ku u shkepën grushtat dhe shqelmat me të madhe, shkruan Gazetasheshi.com.

Në arsyetimin e këtij komisioni thuhet se asnjëra nga skuadrat nuk ishte përgjegjëse për incidentin e shkaktuar dhe asnjëri nga ‘boksierët’ nuk u fut në procedurë disiplinore.

Komisioni i Garave hodhi gjithë peshën e kësaj ngjarje mbi supet e gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Patriot Fazliu, i cili lejoi nisjen e aksionit nga mesi i fushës për futbollistët e Vjosës, pasi që futbollistët e Fushë Kosovës kishin dalë komplet jashtë fushës së kundërshtarit për të festuar.

Gazeta “Sheshi” ka siguruar edhe videon ekskluzive nga e gjithë kjo situatë, me ç’rast futbollistët e Fushë Kosovës festuan jashtë vijave të gjysmëfushës së kundërshtarëve dhe sipas rregullores së FIFA-së, gjyqtari ka të drejtë të sinjalizojë për fillimin e ndeshjes.

Nga hulumtimi i rregulloreve që ka bërë Gazeta “Sheshi” precizohet qartë neni në të cilin lejon fillimin e ndeshjes nga gjysma e fushës, nëse skuadra kundërshtare ka zbritur për të festuar komplet jashtë vijave të gjysmëfushës së kundërshtarit.

Madje, Gazeta “Sheshi” ua sjellë edhe disa raste të ekipeve të mëdha kombëtare, të cilat kanë kujdes në zbatimin e këtij rregulli, pasi që në rast se e gjithë skuadra del jashtë vijave të gjysmëfushës së kundërshtarit ndeshja mund të vazhdojë.

Shembulli kur e gjithë skuadra e Portugalisë feston jashtë vijave të gjysmëfushës së Spanjës, përveç një futbollisti, i cili qëndron në fushën e kundërshtarit për të mos e lejuar që ndeshja të vazhdojë.

Një rast i komplikuar, por ky i ndeshjes ndërmjet Fushë Kosovës dhe Vjosës është shumë i kjartë, pasi që futbollistët e skuadrës vendase kanë festuar jashtë gjysmë fushës së kundërshtarit dhe ndeshja ka nisur nga mesi i fushës nga skuadra mysafire.

Megjithatë, incidenti ka nisur menjëherë pasi u shënua goli i skuadrës së Fushë Kosovës nga penaltia në minutën e 61-të, me ç’rast dy skuadrat ishin të përfshira fillimisht në konflikt verbal dhe më pas në konflikt fizik.

Treshja e gjyqtarëve të ndeshjes u akuzua gjithashtu që kishin startuar me vonesë ndeshjen për 20 minuta, mirëpo në raportin zyrtar të ndeshjes thuhet mjaft mirë se gjyqtarët kanë pritur ardhjen e Policisë së Kosovës për ta siguruar ndeshjen.

Gazeta “Sheshi” ka tentuar të kontaktojë me gjyqtarin e ndeshjes Patriot Fazliu, mirëpo ai nuk ka dashur të prononcohet, pasi që ka thënë se e kanë të ndaluar me rregullore të flasin për media dhe se ai ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me gjithë ngjarjen te Komisioni i Garave.

Gjithsesi Komisioni i Garave e ka zgjedhur pikërisht Fazliun për ta bërë “kurban” të gjithë kësaj situate, e cila është një rast ‘suis generis’ për futbollin Kosovar.

Ndeshja ndërmjet Fushë Kosovës dhe Vjosës tashmë do të zhvillohet më datë 25.04.2021(e diele), ndërkohë që Komisioni i Garave ka paraparë sanksione të ashpra në rast se ndonjëra nga këto skuadra nuk paraqitet në fushën e lojës.