Përse nuk janë në Superligë PSG-ja dhe Bayern Munich?

Ndër gjërat që zgjoi kureshtje pas krijimit të Superligës se Evropës ishte fakti se asaj nuk i ishte bashkuar asnjë klub nga Gjermania apo Franca.

Klubi më i madh gjerman dhe ndër më të mëdhenj në botë, Bayern Munich, si dhe gjiganti francez, Paris Saint-Germain, nuk ishin pjesë e klubeve themeluese të Superligës e as nuk janë të përkushtuara t’i bashkohen këtij projekti, transmeton Ballkani.Info.

Në rastin e PSG-së, politika është tejet e përfshirë. Klubi parisien është në pronësi të Investitorit “Qatar Sports Investments” dhe udhëhiqet nga sheiku Nasser Al-Khelaifi.

Al-Khelaifi dhe grupi i tij investues kanë lidhje të ngushta me UEFA-n dhe FIFA-n. Kompania e tyre BeIN Sports i mban të drejtat televizive për Ligën e Kampionëve, derisa Katari do ta organizojë Kupën e Botës në vitin 2022.

UEFA dhe FIFA janë shprehur kundër Superligës Evropiane dhe Al-Khelaifi ka marrëdhënie shumë të mira me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Në mediat franceze, gazeta e madhe “L’Equipe” shfaqi një ndarje mes Francës dhe Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Evropës në ballinën e saj.

“Lufta e të pasurve” ishte titulli i ballinës së saj.

Në Gjermani, gjendja dallon. Klubet gjermane kanë qenë gjithmonë të lidhura ngushtë me tifozët e vet, prandaj synimet për t’iu bashkuar Superligës janë minimale.

Bayerni dhe Dortmundi dolën publikisht kundër Superligës Evropiane të hënë, duke thënë se nuk janë të pëlqimit për një ligë të mbyllur që i lë mënjanë klubet e tjera.