Orhan Rekathati

Përplasje në Gjykatë: Pasi ia vrau nënën, kapet në seancë edhe me vajzën e së ndjerës

Mbrojtësi i të akuzuarit për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Bajram Velija, avokati Orhan Rekathati ka propozuar që klientit të tij t’i bëhet ekzaminim psikiatrik.

Një propozim të tillë avokati Rekathati e ka bërë përsëri në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo seancë e shqyrtimit u mbajt për të dytën herë, pasi që Gjykata e Apelit e kishte konsideruar si të bazuar, ankesën e palës mbrojtëse ndaj vendimit të Gjykatës Themelore për mos lejimin e kryerjes së ekzaminimit psikiatrik ndaj të akuzuarit Bajram Velija, andaj Apeli ka kërkuar që Gjykata Themelore ta rivlerësoj përsëri këtë çështje.

Në këtë shqyrtim mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Orhan Rakathati, përsëri tha se qëndron pranë pretendimeve se në kryerjen e kësaj vepre penale nga klienti i tij, nuk ka ekzistuar elementi i dashjes dhe qëndron pranë propozimit për ekzaminim psikiatrik.

Propozimin për ekzaminim psikiatrik, ai e mbështet në deklarimin e të akuzuarit se në momentin e privimit të jetës së të ndjerës, ai ka shkrepur një plumb dhe pastaj ka humbur vetën duke qenë në ankth dhe plumbat e tjerë i ka shprazur në trupin e të ndjerës, pasi që në mendimin e tij nuk e ka ditur se çka është duke bërë dhe në sytë e tij është paraqitur një katror i zi dhe me këtë ka kryer këtë vepër penale.

Po ashtu, arsye tjetër sipas tij, që duhet të kryhet një ekzaminimi i tillë, është fakti që vepra për të cilën akuzohet klienti i tij, parasheh edhe dënimin me burgim të përjetshëm, andaj kjo e kushtëzon dhe e obligon gjykatën për të bërë një ekzaminim psikiatrik.

Me fjalët e mbrojtësit të tij u pajtua edhe i akuzuari Bajram Velija.

Prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se nga deklarimi i avokatit mbrojtës, ajo ka kuptuar se i njëjti nuk i ka kundërshtuar provat në të cilat është bazuar aktakuza.

Në lidhje me propozimin për ekzaminim psikiatrik, prokurorja Gashi deklaroi se mbrojtja po bënë një propozim të tillë pa prezantuar asnjë provë materiale e cila e tregon se ndonjëherë në jetën e tij i akuzuari ka vuajtur nga ndonjë çrregullim i përkohshëm apo i përhershëm psikik ose se i akuzuari ka karakter impulsiv, vuan nga ndonjë depresion dhe deri më sot nuk ka propozuar ndonjë dëshmitarë të vetëm i cili tregon se i akuzuari ka pasur sjellje të tilla.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ariant Koci, deklaroi se në këtë fazë të procedurës, legjislacioni penal nuk e parasheh që gjykata të merr vendim në lidhje me njoftimin e palës mbrojtëse për mundësinë e çrregullimeve psikike dhe se kjo mund të merret në fazat e mëvonshme të procedurës.

Ndërsa sa i përket elementit të dashjes avokati Koci, deklaroi se në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit, në këtë mënyrë ai thotë që preciziteti ka qenë i madh për një individ më aftësi esencialit të zvogëluar mendore.

E dëmtuara Diellza Hoti, e cila është vajza e viktimës, deklaroi se pajtohet në tërësi me fjalët e prokurores dhe avokatit të autorizuar të saj.

Gjatë seancës, i akuzuari u kthye nga e dëmtuara Diellza Hotit duke i thënë se “shumë shpejt ke me ardh këtu ku jam unë sepse pikërisht  iniciatori nr.1, nr 2, nr 10, me një njeri të vdekur, me një njeri të burgosur është vetë Diellza”.

Ndaj kësaj deklarate të të akuzuarit, reagoi avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, i cili tha se kundërshton ashpër këtë deklarim të të akuzuarit, sepse ai përveç që Diellzës ia ka vrarë nënën, ai sot edhe po e sulmon atë.

Pasi që nuk pati propozime tjera, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, njoftoi se shqyrtimi i dytë ka përfunduar, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 03 nëntor 2020 në ora 09:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, Armenda Aliu-Velija.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.

Ndryshe, i pandehuri Velija gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit të kaluar