Përparim Rama angazhon përsëri ekspertë, shpenzon 216 mijë euro për menaxhim të kontratave

Komuna e Prishtinës ka vendosur të angazhojë përsëri ekspertë të jashtëm për të kryer punë, për të cilët do të shpenzohen 216 mijë euro. Përparim Rama, po ashtu, gjatë muajit korrik ka shpenzuar 400 mijë euro për disa ekspertë, që janë angazhuar për t’i dhënë këshilla. E nuk mund të harrohet as tenderi 12 milionësh për konsulencë, që është dhënë gjatë muajit gusht.

Angazhimi i ekspertëve të huaj për konsultime, menaxhim të kontratave e projekteve, nuk ka të ndalur nga Komuna e Prishtinës, që drejtohet nga Përparim Rama.

Për angazhim të ekspertëve është shpallur edhe një tender gjatë ditës së sotme, që kap vlerën e 216 mijë eurove, shkruan Demokracia.com.

Siç është bërë me dijë në e-prokurim, përmes këtij tenderi do të angazhohen pesë ekspertë për menaxhim të kontratave për nevojat e Komunës së Prishtinës.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 216 000,00. Angazhimi i 5 ekspertëve për punë dhe detyrë specifike, menaxhim të kontratave për nevojat e Komunës së Prishtinës. Qëllimi i kontratës është qe te përcaktohen kushtet që rregullojnë kryerjen e shërbimeve”, thuhet në njoftim.

Në shpalljen e bërë nga Komuna e Prishtinës është treguar se ky tender do të ndahet në pesë loto dhe pagesa për secilën do të bëhet veç e veç.

Sipas përshkrimit teknik të dhënë në dosjen e tenderit, secila loto do ta ketë vlerën prej 43 mijë e 200 euro.

Loto 1 – 43200.00

Loto 2 – 43200.00

Loto 3 – 43200.00

Loto 4 – 43200.00

Loto 5 – 43200.00

Komuna e Prishtinës ka treguar se angazhimi i ekspertëve bëhet për të rritur efikasitetin e punës, duke treguar se për t’u arritur kjo, Komuna e Prishtinës ka nevojë për dhjetë (10) Konsulentë Individualë për Menaxhimin e Projekteve.

“Menaxhimi i projekteve siguron që në mënyrë efektive ushtrohen dhe implementohen dispozitat e kontratave në lidhje implementimin sipas afateve dhe kualitetit të përcaktuara në kontrata. Menaxhimi i Projektit/Kontratës është faza e tretë e procesit të prokurimit dhe i referohet periudhës prej nënshkrimit të kontratës deri në përmbyllje të saj (pranimi final i kontratës)”, thuhet në arsyetimin e Komunës së Prishtinës, përcjell Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës tutje ka treguar se ky aktivitet i prokurimit ka qenë edhe njëherë i publikuar, mirëpo sipas tyre kërkesa e njësisë kërkuese është që të ritenderohet dhe të kryhet në afat të përshpejtuar.

“Ky aktivitet ka qenë i publikuar edhe njëherë dhe kërkesa e njësisë kërkuese është qe te ri tenderohet dhe të kryhet në afatin sa më të shpejtë të mundur për shkak të nevojave të mëdha që ka AK për angazhimin e eksperteve për punët dhe detyrat specifike që ka komuna e Prishtinës”.

Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama edhe gjatë muajit korrik ka angazhuar 10 ekspertë për këshilla për disa projekte. Për punën e tyre, komuna kishte paraparë t’i shpenzojë 400 mijë euro.

“Shërbime për konsulencë për angazhim të 10 ekspertëve për menaxhim të projekteve për nevojat e Komunës së Prishtinës. Vlera e parashikuar e kontratës: 400 000,00. Numri i tenderëve të pranuar: 11”, thuhet në njoftim e shpallur, për të cilin kishte raportuar Demokracia.com.

Këta ekspertë është thënë se duhet të kenë përvojë disavjeçare në punë e po ashtu edhe shkollim master.

E gjatë muajit gusht, kjo komuna ka dhënë tenderin më të madh që mbahet mend për konsulencë.

12 milionë euro është shuma që Komuna e Prishtinës i ka vënë në dispozicion për tenderin përmes të cilit do të merren konsulenca për themelimin e shërbimit të arkitektit për kryeqytetin. Dhënia e këtij tenderi ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë. /Demokracia.com/