Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar pas rikthimit në Kuvend të Ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke shprehur mbështetjen e plotë për përmbajtjen dhe qëllimin e tij.

Gruda ka deklaruar se ligji nuk përmban asnjë gabim dhe se është krenar për punën e bërë së bashku me ekipin që e ka hartuar atë. Sipas tij, gjatë hartimit janë zhvilluar konsultimet e nevojshme me palët përkatëse.

“Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji”, ka theksuar Gruda, duke nënvizuar përgjegjësinë dhe angazhimin që, sipas tij, kanë shoqëruar procesin e hartimit.

Deputeti i PDK-së ka thënë se do të kishte preferuar që debati institucional të përqendrohej te zbatimi i ligjit dhe jo te rihapja e diskutimeve për përmbajtjen e tij.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se, në rast se Kuvendi e rishqyrton ligjin, një proces i tillë duhet të zhvillohet me përgjegjësi dhe të mbështetet në argumente juridike, duke ruajtur thelbin e tij.

Gruda ka ritheksuar se nuk do të distancohet nga puna e tij dhe as nga qëllimi për të cilin është hartuar ligji, duke e lidhur këtë qëllim me mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, Gruda ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të vazhdojë diskutimin për këtë çështje, duke përfunduar me fjalët: “Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”.

Reagimi i tij vjen në kohën kur çështja e ndryshimeve ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës po rikthehet në vëmendjen e Kuvendit dhe të debatit politik në vend.