Korrupsioni

Përmes një seance të simuluar, koalicioni i organizatave joqeveritare miraton Rezolutën për luftimin e korrupsionit

Koalicioni i organizatave joqeveritare (IKD, FOL dhe INPO) kanë mbajtur seancë parlamentare të simuluar për miratimin e Rezolutës kundër korrupsionit.

Në sallë në rolin e deputetëve kanë qenë studentët e Fakultetit Juridik nga Qendra për Edukim Profesional në kuadër të IKD-së të ndara në katër grupe parlamentare.

Jona Lea Zeqiraj, shefe e Grupit Parlamentar  të Unitetit për Demokraci dhe Sundim të Ligjit, prezantoi Rezolutën për luftimin e korrupsionit para deputetëve.

“Duke vlerësuar rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar dhe jetën më të mirë të qytetarëve të vendit. Si dhe duke ditur në përgjithësi gjendjen e e institucioneve shtetërore, nevojën për luftimin e korrupsionit dhe rëndësinë për një shtet funksional ligjor, ne prezantojmë këtë rezolutë”. 

“Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht në luftimin e korrupsionit në vend, duke filluar nga adresimi i vlerësimit të hapësirave për korrupsion gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve, apo siç njihet “corruption proofing” i ligjeve. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përmbushë agjendën e vet në drejtim të fuqizimit të agjencive shtetërore ligj zbatuese, me fokus në ato që luftojnë korrupsionin”, tha ajo.

Vesa Pula, shefe e Grupit Parlamentar Liria Rinore e Shprehjes, tha se rekomandon që si Kuvend të zotohen që të punojnë në përmbushjen e obligimeve për anëtarësim në Këshillë të Evropës.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës nënkupton një përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta evropiane, standardeve dhe bashkëpunimit, kështu duke kontribuar në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit në të gjithë kontinentin. Në frymën e kësaj edhe Kosova ka aplikuar për t’u pranuar në këtë Këshill, por që në bazë të raporteve të fundit ende ka rruge përpara. Në këtë drejtim, raporti i fundit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka ofruar rekomandime dhe ka kërkuar nga shteti i Kosovës plotësimin të kritereve shtesë si vijojnë”.

Jetesa Abazaj, Shefe e Grupit Parlamentar Aspiratat për të Drejtat e Qytetarëve, tha se Kosova duhet të synojë të jetë pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit, raporton EO.

“Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit (UNCAC) është instrument universal për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe i vetmi traktat shumëpalësh ndërkombëtar kundër korrupsionit ligjërisht i detyrueshëm. Kosova nuk është palë nënshkruese e kësaj Konvente dhe nuk është as pjesë e mekanizmit mbikëqyrës të kësaj Konvente, megjithatë çdo herë ka qenë e rëndësishme që në legjislacionin e miratuar në vendin tonë, të zbatohen obligimet e UNCAC”.

“Kosova duhet të synojë të jetë pjesë e kësaj Konvente, andaj është e një rëndësie të madhe që t’i zbatojë dispozitat e Konventës në mënyrë që në të ardhmen kur të jetë palë nënshkruese e UNCAC, legjislacioni dhe masat anti-korrupsion që do të zbatoheshin në Kosovë të jenë në përputhje me standardet e kësaj Konvente. Me miratimin e amendamentit Kushtetues për përfshirjen e UNCAC në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës, Kosova do përfitonte në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, por edhe masat anti-korrupsion që do merreshin, do të jenë në përputhje me dispozitat dhe obligimet e UNCAC-ut”.

Në fund me 64 vota për, as një kundër dhe as një abstenim u votua kjo Rezolutë.