Kryetarët në veri

Përmbushet faza e parë për largimin e katër kryetarëve shqiptarë në veri, serbët mbledhin 20% të nënshkrimeve

Ndaj katër kryetarëve shqiptarë të zgjedhur legalisht (ndonëse me legjitimitet tejet të pakët) në komunat veriore të banuara me shumicë serbe tashmë veçse është përmbushur faza e parë – në bazë të Udhëzuesit Administrativ – për inicimin e shkarkimit të tyre.

Elektorati lokal në ato komuna – rreth 20% e tyre – kanë vendosur firmat e tyre në peticionet e nisura nga grupet nismëtare ditëve të fundit; për çka tash pritet që ato peticione të dërgohen në Komisionin Qendror Zgjedhor për të proceduar më tutje deri në hapejn e votimit për shkarkim përfundimtar.

Në Mitrovicë të Veriut ndaj Erden Atiqit u mblodhën fare shpejtë mbi 3 mijë e 600 nënshkrime sa kërkoheshin, njoftoi ditë më parë Sanja Krstiq për mediat serbe; numër ky që përbën rreth 20% të votuesve të regjistruar në atë komunë, përkatësisht 18 mijë e 199.

Edhe për Lulzim Hetemin në Leposaviq janë grumbulluar mbi 20% e nënshkruesve të peticionit, ka njoftuar dje për “Kosovo-Online” një nga nismëtarët me emër Veselin Radoviq. “Nga e hëna do t’i kemi të gjitha rezultatet e sakta dhe ta kryejmë peticionin”, ka thënë ai.

Në Leposaviq janë të regjistruar si votues rreth 13 mijë e 441 persona, çka i bie se në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm duhet rreth 2 mijë e 700 persona të kenë nënshkruar, gjë që, sipas Radoviq, “është tejkaluar”.

Ndërkaq në Zubin Potok, Srxhan Vuçiniq, nismëtar i peticionit ka thënë dje për Kosovo-Online se janë mbledhur votat e nevojshme për shkarkim të Izmir Zeqirit; dhe se po shihet të tejkalohen 1 mijë e 300 nënshkrime sa janë të nevojshme që peticioni të kalojë suksesshëm.

Në Zveçan inicuesi Darko Vuksanoviq njoftoi se deri në orën 4 të pasdites së shtunës kanë mbledhur nënshrkimet e nevojshme për shkarkim të Ilir Pecit. “Mblodhëm më shumë nënshkrime se ç’duhej”, ka njoftuar Vuksanoviç.

Ndërkaq të hënën e 22 janarit do të përfundonte afati për finalizimin e peticionit; dhe për të kaluar në fazat e mëtejme ku KQZ e konfirmon ose jo validitetin e peticionit; dhe ku më pas iniciohet votimi për shkarkim të kryetarëve.

Për t’u shkarkuar kryetarët duhet 50% plus një votë nga elektorati lokal i regjistruar; dhe ku më pastaj, pas suksesit të kësaj faze, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në ato zona për kryetarë dhe kuvende komunale.

Kujtojmë se një nga kushtet për heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian është saktësisht largimi i kryetarëve me legjitimitetim minimal (me vetëm 3% të pjesëmarrjes në zgjedhje) ndonëse e frazojnë ndryshe si “duhet të ndërmerren veprime të mëtejme shtensionuese” që nëse përkthehet tej-diplomacisë, praktikisht, i bie: të mos ketë qëndrim të mëtejmë tensionues të kryetarëve në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kohëve të fundit në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” tha se “nuk dua kryetarë shqiptarë në veri” por se as “nuk mund t’i shkarkojë” për serbët; ngase këta të fundit “duhet ta bëjnë këtë vet”.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditëve të fundit u deklarua rreth nismës për largim të kryetarëve, për çka tha se “është e drejtë që u takon” banorëve lokalë

“Sot ka nisë peticioni për shkarkimin e kryetarit në komunat veriore dhe siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë procedurë të tillë e cila është në Udhëzimin Administrativ, është e drejtë që u takon qytetarëve në komunat veriore. Si shtet që jemi pa dallueshmëri etnike ua lejojmë natyrisht edhe atyre”, u shpreh Osmani.

VIDEO BONUS: S’është në Gjermani, as në Zvicër, këto pamje vijnë nga Republika e Kosovës