LAJMI I FUNDIT

Përleshje në Lipjan – goditen me veturë dy persona, Policia shtien me armë

Disa persona janë përfshirë në një rrahje në fshatin Rusinovc të Lipjanit, dhe si pasojë në person është lënduar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se personat e dyshuar kanë vazhduar mosmarrëveshjen edhe në afërsi të stacionit policor në Lipjan dhe si pasojë njëri nga të dyshuarit ka goditur me veturë qëllimisht dy persona.

“Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rrahje në fshatin Rusinovc të Lipjanit.
Në rast kanë qenë të përfshirë disa persona, ku njëri nga ta është lënduar. Personat e dyshuar kanë vazhduar mosmarrëveshjen edhe në afërsi të stacionit të policisë në Lipjan, ku njëri nga personat e dyshuar me automjet ka goditur qëllimisht dy persona, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor” , tha ajo.

Ahmeti tha më tej se përgjatë përpjekjeve për të menaxhuar dhe futur nën kontroll situatën një nga zyrtarët policor ka shtënë në ajër

Sipas saj lidhur me këtë rast në cilësinë e personave të dyshuar po intervistohen katër persona, ndërkohë që hetuesit në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore./Ballkani.info