Përkundër fitores bindëse në “El Clasico”, Valverde e pranon se iu mungon Messi

Barcelona bëri një paraqitje të mrekullueshme në fitoren e thellë 5-1 në “El Clasico” ndaj Real Madridit, por sipas trajnerit të katalanasve skuadrës i mungon 5 herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi.

Ylli argjentinas mbeti jashtë sfidës së djeshme për shkak të lëndimit në krahë, teksa ishte Luis Suarez ai që u shndërrua në protagonist absolut duke shënuar 3 gola.

Sidoqoftë për Valverden është e dukshme mungesa e 31 vjeçarit.

“Për ne prej që u lëndua Messi javën e kaluar e kemi pasur në mendje se si do ta menaxhonim këtë situatë. Kishim vetëm një përgjigje, të luanim si skuadër dhe këtë e bëmë. Rezultati ka mundur të jetë ndryshe por kjo ishte përgjigjja e vetme që kishim. Ne jemi të kënaqur me paraqitjen e skuadrës por sa më shpejt që Messi rikthehet do jetë më mirë për ne, sepse na mungon”, u shpreh Valverde.

Messi pritet të mungojë edhe për dy javë tjera, gjersa Barcelona përgatitet për ndeshjen e rradhës që është të mërkurën në Copa del Rey ndaj Cultural Leonesa.