​Përkujtohet heroi Mensur Zyberaj| Latifi: 28 maji u skalit me shkronja gjaku në histori

Me rastin e 24-vjetorit të rënies së heroit të kombit, Mensur Zyberaj sot në Rahovec u bënë homazhe te busti i heroit. Po ashtu, u shënua dita e Qendrës Kulturore që mban emrin e heroit “Mensur Zyberaj”.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi deklaroi se heroi Mensur Zyberaj ishte ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së.

Ai tha se 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e qytetarëve të Rahovecit.

“Sot po kremtojmë një ngjarje e rëndësishme për kulturën në komunën e Rahovecit. 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e popullit të Rahovecit dhe të popullit shqiptar, ngase në këtë datë të vitit 1999 në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë në betejën e ashpër dhe të pabarabartë që u zhvillua në zonën e Mileskës, në trekëndëshin Pojatat e Mullaabazëve – Krushë e Madhe- Qëndresë (ish Randobrava). Beteja e majit mori përmasa gjaku e heroizmi, ngase në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë, ndër të cilët edhe njëri ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë, respektivisht Zonës Operative të Pashtrikut, Heroi i Kombit Mensur Zyberaj.”, tha ai.

Latifi tha se në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” mblidhen për të evokuar kujtime e për të mbajtur aktivitete të ndryshme, qendër në të cilën të rinjtë zhvillojnë talentet, për të cilat siç u shpreh ai, luftuan e ranë dëshmorët tanë.

“Qendra e kulturës, që mban emrin e këtij protagonisti të madh të luftës tonë për liri, është vendi ku ne shpesh mblidhemi për të evokuar kujtime, për të shënuar ngjarjet e rëndësishme të historisë e kulturës tonë, për të mbajtur aktivitete kulturore, rinore e shoqërore. Është kjo qendër ku njerëzit hyjnë e dalin dhe gjithmonë diçka sjellin e diçka marrin. Pra, është një qendër ku gravitojnë grupe artistësh, ku të rinjtë e të rejat zhvillojnë talentet e tyre dhe ku njerëzit e shijojnë lirinë. Zaten për këtë edhe luftuan e ranë dëshmorët tanë. Prandaj, është një nga detyrimet tona morale e institucionale që të ofrojmë më shumë mundësi për njerëzit tanë, duke synuar që jeta dhe veprat e dëshmorëve të jenë fanar ndriçues në rrugën tonë kah përparimi. Vetëm në këtë mënyrë merr kuptim dhe peshë rënia e tyre.”, u shpreh ai.

Ai shtoi se se organizimi i sa më shumë festave e ngjarjeve kulturore në Qendrën Kulturore “Mensur Zyberaj”, jo vetëm që përbën thelbin e ekzistimit të qendrës së kulturës, por është edhe mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin për të rënët.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Afrim Dina u shpreh se më 28 maj i prezantojnë të arriturat e qendrës kulturore, që mban me krenari emrin e heroit Mensur Zyberaj.

Ai paraqiti disa nga arritjet e drejtorisë së udhëheq.

“28 maji është dita ku ne prezantojmë para jush arritjet dhe synimet tona të Qendrës së Kulturës që mban me krenari emrin e njërit prej heronjëve të luftës sonë çlirimtare, Mensur Zyberaj. Thënë me pak fjalë, është ruajtëse e vlerave tona kulturore dhe që me përkushtim po përpiqemi të përmbushim jetën kulturore, rinore e sportive në komunën e Rahovecit.”, tha ai duke treguar organizimet që kanë bërë që nga fillimi i vitit.

Me rastin e shënimit të ditës së Qendrës Kulturore “Mensur Zyberaj” u interpretuan këngë e poezi. Ndër personat që interpretuan ishte edhe vajza e heroit Mensur Zyberaj, Flaka.