Miratimi i rezolutës së propozuar nga Partia Socialdemokrate në Kuvendin e Kosovës ka rikthyer një tjetër përplasje mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së.
Deputetja nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se Thaçi pa vonuar shumë, e përshëndet rezolutën dhe mirëpret ekipin e votuar përmes rezolutës! “Në vend të bashkimit me opozitën e qytetarët dhe angazhimit për zgjedhje të jashtëzakonshme, ata zgjodhën Kadriun e Hashimin. Ikanakët janë shitur aq shumë dhe aq keq!”, ka shkruar Haxhiu.
Zyrtari për media i PSD’së, Shkodran Hoti, Haxhiun e ka quajtur kukuvajkë. Ka thënë se sheshazi po tregon budallallëkun e saj.
“Një ‘kukuvajkë’ me lot në sy, bashkë me lotët po derdh sheshazi gjithë budallallëkun e saj duke vajtuar se Thaçi e paska përshëndetur votimin e Rezolutës. Po pse vajton moj? Thaçi edhe dje përshëndeti votimin për transformimin e FSK-së në ushtri, për çka ‘kukuvajka’ votoi, madje me dorë”, ka shkruar Hoti. /Ballkani.info/







