Përjashtohen tre anëtarë të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri akuzohet për uzurpim të partisë

Dega e LDK-së në Vushtrri në mbledhjen e jashtëzakonshme që ka mbajtur sot, ka përjashtuar tre asamblistët të Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Agron Perçukun, Alban Bajramin e Behar Durakun.

Këtë e ka bërë të ditur asamblisti i LDK’së Agron Përquku.

Përmes një postimi në Facebook, Përquku ka shkruar se në orët e mbrëmjes, me urdhër të Xhafer Tahirit, janë mbledhur disa anëtarë të kryesisë së degës së LDK-së në Vushtrri dhe kanë marrë vendim për përjashtimin e tre anëtarëve të LDK-së, përfshirë edhe atë dhe kolegët e tij, Alban Bajramin dhe Behar Durakun.

Ky vendim është në kundërshtim me statutin e LDK-së dhe atë si në vijim, ka bërë të ditur Përquku.

‘Kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri ka 23 anëtarë, ndërsa sot në mbledhje kanë marrë pjesë vetëm vetëm 12 anëtar të kryesisë’.

Demokracia.com mëson se për këtë mbledhje të thirrur nga Xhafer Tahiri, kryetar i degës, nuk kishte qenë e informuar as nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës- Dega në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi.

Siç shihet në letrën e nënshkrimeve të siguruar nga Demokracia.com, vetëm sekretari i degës së LDK’së, në Vushtrri, Avdi Avdiu, nuk ka nënshkruar, ndërsa anëtari tjetër Shkëlzen Xhaferi ka votuar online.

Lidhur me këto përjashtime ka reaguar edhe sekretar i degës së LDK-së në Vushtrri, Avdi Avdiu.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në këtë mbledhje nuk ka pasur kuorum dhe nuk janë ftuar të gjithë anëtarët e kryesisë siç është dashur të ftohen.

“Si Sekretar i degës së LDK-së në Vushtrri, vlerësoj se vendimi i sotëm i Kryesisë së degës së LDK-së në Vushtrri për përjashtimin e tre anëtarëve tonë është në kundërshtim me Statutin e LDK-së Kam qenë pjesëmarrës në këtë mbledhje dhe të njëjtën e kam lëshuar, pasi që është tentuar të merren veprime kundër degës së LDK-së. Në këtë mbledhje nuk ka pasur kourum dhe nuk janë ftuar të gjithë anëtarët e kryesisë siç është dashur të ftohen”, ka shkruar Avdiu në Facebook.