Debutimi i Christian Panuçit në kombëtaren e Shqipërisë nisi menjëherë me dy çështje të nxehta: Taulant Xhaka dhe Sokol Cikalleshi. i pari sepse nuk u prezantua në takimin që trajneri italian kishte caktuar në Bazel, i dyti sepse kërkoi leje për të mbërritur në grumbullim një ditë më pas, shkak firma me klubin e tij të ri në Turqi.
Pas vendimit për t’i lënë të dy jashtë në sfidat ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2018, në Rusi, menjëherë, ish-mbrojtësi i Milanit, Realit dhe Romës, do të etikohej me nofkën “diktatori”.
Madje, polemika ishte aq e madhe saqë trajneri kuqezi tha se rregulli dhe respekti duhet të ishin primare në kombëtare, duke ngritur zërin dhe, disa herë, duke përdorur “ironinë therëse” në ballafaqimin me mediat.
Sot, pasi kanë kaluar thuajse dy vite nga ai moment, trajneri i kombëtares – të cilit iu dha një tjetër shans nga presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka – ka rikthyer disiplinën në rang të ditës. Kryefjala e grumbullimit kuqezi, që ka nisur zyrtarisht të hënën në mesditë, me stërvitjen e parë në orën 15:00, ishte Thomas Strakosha.
Portieri i Lazios, i cili luajti një ndeshje mjaft të mirë ndaj Parmës në kampionat, ku Lazio fitoi 4-1, është përjashtuar nga trajneri i kombëtares për dy ndeshjet e rradhës, atë ndaj Turqisë dhe Andorrës. Në vend të tij, portieri i Laçit, Selmani, që është edhe pjesë e U-21 të Shqipërisë.
Selmani, portieri i Laçit, duke u stërvitur me kombëtaren
Ngjarja – Gjithçka ka ndodhur ditën e dielë pasdite. Thomas Strakosha ka përfunduar ndeshjen Lazio-Parma në “Olimpico” dhe, më pas, sipas programit të FSHF-së dhe trajnerit Christian Panuçi, duhet të paraqitej në aeroportin e Malpensës në orën 19:00, për t’u nisur më pas në orën 21:00 drejt Shqipërisë. Bileta ishte prerë dhe gjithashtu trajneri kuqezi e priste.
Por, në orën 20:00, portieri kuqezi ka njoftuar trajnerin se ishte ende në trafik dhe se vështirë se do të kapte fluturimin, duke kërkuar të mbërrinte një ditë më pas, pra të hënën në mëngjes në Rinas, me fluturimin e orës 07:30. Panuçi nuk e ka pritur mirë dhe menjëherë i ka thënë që të mos prezantohej më fare në grumbullim, duke humbur kështu të dy ndeshjet.
Menjëherë, zëdhënësi i FSHF-së ka kontaktuar me trajnerin dhe e ka pyetur, në lidhje me këtë vendim, ndërsa trajneri nuk u përgjigj. Edhe numri “1” i Federatës, Armand Duka, pasi në mbrëmje është njohur me këtë ngjarje, ka mbetur i befasuar dhe ka kërkuar konfirmimin nëse ishte e vërtetë. Gjë të cilën e ka marrë vetëm mëngjesin e ditës së hënë, shpjeguar nga trajneri Panuçi.
Prapaskena – Por, vërtetë një vonesë në fluturim ndikoi në zgjedhjen e Panuçit për të lënë jashtë Strakoshën? Do të ishte një kapriçio shumë e madhe e italianit, që nuk ka luksin të sjellë pakënaqësi në grup. Telesport ka mësuar më shumë në lidhje me këtë histori dhe e vërteta është krejt ndryshe. Vonesa e Strakoshës mund të falej nga trajneri, pasi nuk do të ndikonte edhe aq, duke qenë se është portier dhe, mbi të gjitha, rezervë, duke qenë Berisha titullar.
E dyta, Strakosha do të stërvitej normalisht me trajnerët e portierëve, Bozhiqin në krye, kështu që nuk ishte problemi i Panuçit. E gjitha është një hakmarrje e trajnerit italian për disa situata të së shkuarës, mbajtur fshehur deri tani. Mes Panuçit dhe Strakoshas nuk ka një raport të mirë.
Portieri i Lazios, edhe në grumbullimet e tjera, ka pasur probleme me trajnerin italian, lidhur me disiplinën dhe sidomos korrektësinë. Edhe në grumbullime të tjera, Strakosha ka pasur raste kur nuk ka kapur avionin e parë sipas programit, por të dytin, duke shtyrë nisjen për në Shqipëri.
Jo vetëm, por në grumbullim mes tyre ka pasur edhe debate të vogla, që janë zmadhuar me kalimin e kohës. Vonesa e fundit ishte vetëm gllënka që ka mbushur vazon dhe e ka derdhur… /telesport/







