Gregory Keohe

“Periudhë e vështirë, por ka kurajo” – Avokati Kehoe thotë se po lufton ta lirojë nga paraburgimi Hashim Thaçin

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka folur nga Haga rreth zhvillimeve të procesit të gjykimit në rastin e krerëve të UÇK-së.

Keohe ka thënë se Thaçi bashkë me të tjerët po mbahen, dhe kanë kurajo.

“Mendoj se ka qenë shumë e vështirë për presidentin, siç thatë ai po mbahet tash e tri vjet dhe ka qenë në masën e paraburgim gjatë gjithë kësaj periudhe, vazhdimisht jemi përpjekur ta nxjerrim jashtë por nuk kemi pasur sukses në atë drejtim. Nuk mendoj se ka ndonjë arsye që ai të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, natyrisht ai duhet të jetë në mbajtje ndërkohë që ka gjykim por ka mangësi sa i përket orarit të Gjykatës, për shembull në raste festash ai sigurisht mund të lirohet”, tha Kehoe për Nacionalen dhe disa media të tjera kosovare në Hagë.

“Pra në rrafshin personal për të ka qenë shumë e vështirë, ai po mbahet, ka kurajo dhe më duhet ta them siç po bëjnë edhe tre zotërinjtë tjerë. Por ka qenë e vështirë sepse gjykimi është zhvilluar ngadalë e do të vazhdojë të jetë proces i ngadalshëm. Prokuroria ka goxha dëshmitarë dhe mendoj se do të marrë ca kohë. Por do t’ua them edhe këtë, do të vazhdojmë të përpiqemi ta lirojmë nga paraburgimi gjatë muajve në vijim dhe do t’ju njoftoj si do të shkojë”, tha më tutje ai.

Kehoe ka thënë se raste ku të akuzuarit kanë qëndruar në paraburgim kaq gjatë ka pasur edhe në Tribunalin e Hagës. Por, krimet për të cilat akuzoheshin ata si rasti i Srebrenicës, nuk janë as për afër të ngjashme me akuzat ndaj Thaçit.

“Nëse shohim mbrapa në rastet e Tribunalit të Hagës, kjo me siguri ka ndodhur me disa prej, epo me disa prej të akuzuarve për vepra serioze, ata njerëz u mbajtën në paraburgim, por ne nuk jemi në të njëjtën situatë këtu, nuk e kemi askënd të ketë kryer krime aq të rënda siç është rasti i Srebrenicës për shembull. Nuk i afrohemi asnjërës prej tyre në fakt por ju e keni një individ, presidentin Thaçi i cili sapo e mësoi se ishte ngarkuar dha dorëheqje nga pozita e presidentit dhe erdhi këtu me vullnet”, tha Kehoe.

“Kjo ka ndodhur edhe më parë që ai ka ardhur vullnetarisht disa herë tjera kështu që ai ka një historik të bindjes ndaj urdhrave të gjykatës, duke ardhur disa herë në Hagë kur i ishte kërkuar, dhe argumentet tona kanë qenë gjithnjë se këto do të duhej të merreshin si rrethana në favor të lirimit të tij, por nuk ka ndodhur kështu deri tashti. Por përgjigja për pyetjen tuaj nëse kam parë raste tjera kur ka akuza për vepra të rënda kur njerëzit janë mbajtur, për shembull gjithë ato rastet për Srebrenicën, patjetër, por ky nuk është si ai rast, ata njerëz që janë akuzuar nuk ndërmorrën veprimet vullnetare si presidenti Thaçi të ballafaqohet me akuzat që i janë ngarkuar këtu”, theksoi Kehoe.

Kehoe ka folur edhe për vështirësitë e përgatitjes, duke shtuar se koha e gjatë e kaluar nga lufta ka bërë që shumë dëshmitarë si rasti i sekretares Albright, të vdesin.

“Dallimi patjetër është se ky rast është historik, po kthehemi 25 vjet mbrapa. Jemi në 2023-ën dhe ngjarjet kanë ndodhur gjatë 98’ës apo edhe më herët dhe në këtë kuptim është e vështirë sa i përket dëshmitarëve, mundësitë për të hulumtuar, le të tregohemi të sinqertë, shumë njerëz kanë vdekur gjatë këtyre 25 vjetëve disa prej të cilëve do të na ndihmonin shumë, një nga ta ishte e ndjera sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright e cila kishte raporte të ngushta me presidentin Thaçi. Natyrisht se do të ishte më mirë për presidentin që kjo çështje të kishte nisur më parë dhe dëshmitarë si sekretarja Albright të mund të jepnin dëshmitë e tyre në krah të presidentit”, tha Gregory Keohe./nacionale/