Në shtetet e Ballkanit Perëndimor me padurim po pritet ligji i ri i migracionit, i cili do të liberalizojë mundësinë e punësimit në Gjermani.

Besohet se ligji i ri do të ndikojë në nxitjen e shkuarjes së njerëzve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Mali i Zi, nëse në ndërkohë hiqen vizat e punës.

Sipas agjencive rajonale të lajmeve, ambasada e Gjermanisë në Bosnjë dhe Hercegovinë ka thënë se ligji i ri është ende në shqyrtim fillestar.

“Anadalia” e ka pyetur ambasadën në Sarajevë për paralajmërimin që autoritetet gjermane që nga 1 janari i vitit 2019 do të nisin procesin e punësimit të punëtorëve nga hapësira e Ballkanit Perëndimor në Gjermani, transmeton Ballkani.info.

“Duke u nisur nga ideja se ligji i ri për migracion është në fazën e hershme të shqyrtimit, ju lutemi për mirëkuptim se momentalisht nuk mund të flasim për mundësinë e efekteve që do të ketë ligji”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Shumë banorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët ende paguhen pak për punën që e bëjnë në vendet e tyre, vazhdimisht kërkojnë të punojnë në vendet e Evropës Perëdimore, respektivisht në Gjermani. /Ballkani.info/