Përfundon takimi në Bruksel, as kësaj radhe delegacionet e Kosovë dhe Serbisë nuk ulën në të njëjtën tavolinë

Në Bruksel ka përfunduar raundi i sotëm i dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe kësaj radhe delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit nuk u ulën në të njëjtën tryezë, transmeton Demokracia.com.

Me atë rast, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, kanë biseduar në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në fillim të takimit me Lajçakun, Petkoviq ka insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, siç është rënë dakord në Bruksel para gati nëntë vitesh.

Ai theksoi se formimi i ASK-së është i një rëndësie kyçe për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për sigurinë e serbëve në Kosovë.

Gjatë takimit me ndërmjetësuesit e BE-së, në dialog u diskutuan edhe çështjet e energjisë, ndërsa delegacioni i Beogradit këmbënguli që kompanitë serbe të marrin licencat e nevojshme për furnizim me energji elektrike në përputhje me marrëveshjen, e cila është kusht për furnizim stabil dhe të sigurt me energji elektrike në veri të Kosovës.

Në takim është diskutuar për të pagjeturit, për të cilën Beogradi insiston si një nga çështjet kyçe,  sipas një burimi nga delegacioni serb, transmetojnë mediat serbe.

“Diskutimi intensiv me dy negociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq për një sërë temash specifike është duke u zhvilluar sot në Bruksel”, shkroi Lajçak në Tëitter.

Dje, para takimit, Petkoviq njoftoi se me Bislimin do të bisedojë për Asociacionin, çështjen e personave të pagjetur, drejtësinë, lirinë e lëvizjes, ndërsa me Lajçakun do të bisedojë për zgjedhjet e ardhshme të prillit në Serbi dhe mundësinë e votimit edhe në Kosovë.

Ndryshe, bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë vazhduan në Bruksel pas një pauze tremujore e gjysmë.

Hera e fundit që dy negociatorët u takuan në Bruksel ishte më 16 nëntor.