Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka bërë të ditur se mesfushori Naby Keita do të mungojë rreth dy muaj, pasi u lëndua në disfatën e Liverpoolit kundër Barcelonës, mbrëmjen e së mërkurës.

Vetëm 24 minuta pasi kishte filluar përballja gjysmëfinale mes Barcelonës dhe Liverpoolit në Camp Nou, trajneri Jurgen Klopp u detyrua ta ndryshojë planin e tij për këtë lojë.

Kjo pasi që Naby Keita, i cili kishte qenë titullar në mesfushë përkrah James Milner dhe Fabinhos, u lëndua dhe u detyrua ta lë ndeshjen në gjysmë. Ai u zëvendësua nga kapiteni i skuadrës, Jordan Henderson.

Në konferencën për shtyp para përballjes kundër Newcastle, Klopp ka bërë të ditur se Keita do të mungojë në të gjitha ndeshjet e mbetura këtë sezon dhe pritet që ai të rikuperohet plotësisht pas dy muajve.

“Është shumë rast i pafat. Kam lajme të këqija. Lëndimi i tij do ta mbajë atë jashtë fushës për të paktën dy muaj. Lajm i keq për ne, por lajm më i keq për të pasi që Kupa e Kombeve të Afrikës është këtë verë”, ka thënë Klopp.

“Ai ishte në një moment shumë të mirë, por kështu është futbolli dhe jeta nganjëherë. Nuk është e këndshme, por është shumë serioze”.

Kjo do të thotë që strategu gjerman s’do të ketë mundësi ta shfrytëzojë ndihmën e futbollistit nga Guinea në pjesën më vendimtare të këtij sezoni për Liverpoolin

Tani kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit të Premierligës dhe Liverpoolit i duhet t’i fitojë që të dyja ndeshjet dhe të shpresojë që Manchester Cityt të gabojë në të paktën njërën prej tyre për ta fituar titullin. Aktualisht, Manchester City renditet i pari me një pikë më shumë.

Po kaq vendimtare do të jetë edhe ndeshja e radhës në Ligën e Kampionëve. Liverpooli e humbi ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Barcelonës 3-0, por do të kërkojë që në Anfield ta përmbysë këtë rezultat dhe ta sigurojë një vend në finale.