Përfundon gjykimi ndaj Haki Rugovës, shpallja bëhet të hënën

Në gjykimin ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, palët sot kanë dhënë fjalën përfundimtare, duke përmbyllur kështu këtë proces gjyqësor të tejzgjatur.

Aktakuza për konflikt interesi ndaj kryetarit të Komunës së Istogut Haki Rugova, është ngritur me mars të vitit 2018.

Sot prokurori Ali Uka në fjalën përfundimtare tha se në këtë shqyrtim gjyqësor pas administrimit të të gjitha provave është vërtetuar gjendja faktike si e përshkruar në aktakuzë.

Ukaj tha se kryetari Rugova me nënshkrimin e kontratës i ka realizuar vëllait të tij përfitim financiar.

Prokurori tha se nuk qëndrojnë pretendimet e Haki Rugovës së nënshkrimi i kontratës nga ana e tij nuk i ka realizuar interes financiar vëllait të tij, duke u thirrur se kontrata ka qenë e zbatueshme vetëm me nënshkrimin e shefes së prokurimit të komunës së Istogut dhe kompanisë së vëllait të tij.

Kjo sipas prokurorit bëhet me qellim që Haki Rugova t’i ik përgjegjësisë penale, sepse sipas prokurorisë në këtë çështje penale nuk është kontestuese se kontrata në fjalë ka qenë me vlerë të madhe, andaj sipas ligjit për prokurim publik që kjo kontratë të këtë plotfuqishmëri duhet të nënshkruhet përveç zyrtarit përgjegjës për prokurim në komunë edhe nga zyrtari kryesor administrativ, pra nga Haki Rugova si kryetar, raporton Kallxo.

Në anën tjetër mbrojtësi i Haki Rugovës, avokati Besnik Berisha tha se klienti i tij është viktimë e jo përgjegjës për këtë vepër penale.

Avokati tha se Haki Rugova nuk ka marrë pjesë në këtë procedurë të tenderimit.

Sipas Berishës nënshkrimi i kontratës nga Haki Rugova ka qenë aksidental dhe nuk ka prodhuar efekt juridik, meqenëse kontrata ka qenë e vlerës se mesme, dhe për plotfuqishmërinë e saj nuk ka qenë relevant nënshkrimi i Rugovës.

“Neni 19 i ligjit për prokurim publik, klasifikon këtë kontratë për pune me vlerë të mesme, e nuk e kërkon nënshkrimin e kryetarit por vetëm zyrtarit të prokurimit”, tha avokati Berisha.

Avokati tha se këtë e vërteton edhe ekspertiza e ekspertit të prokurimit, që vërteton sipas tij, që nënshkrimi i Rugovës ka qenë krejtësisht i panevojshëm sa i përket fuqisë ligjore të tij.

“Prokuroria lë të mësohet kur me akuzu dikënd e t’i mësoj elementet e veprës penale, e Haki Rugova mos të nënshkruaj aksidentalisht ashtu që mos të përballet me procedura të zgjatura gjyqësore”, tha për fund Berisha.