Newcastle

Përfshirja në baste, Newcastle reagon në rastin e Tonalit

Newcastle United ka reaguar për rastin e mesfushorit të tyre, Sandro Tonali, që po dyshohet për përfshirje në baste sportive në Itali.

Klubi anglez me anë të një komunikate ka bërë të ditur se Tonali ka mbështetjen e plotë të tyre në lidhje me këtë rast.

Newcastle United ka konfirmuar gjithashtu se Sandro Tonali është nën hetim nga Prokuroria Italiane dhe Federata Italiane e Futbollit.

“Newcastle United mund të konfirmojë se Sandro Tonali është subjekt i hetimit nga Prokuroria Italiane dhe Federata Italiane e Futbollit (FIGC) në lidhje me aktivitetin e paligjshëm të basteve”.

“Sandro është plotësisht i angazhuar në hetim dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha autoritetet përkatëse”.

“Ai dhe familja e tij do të vazhdojnë të marrin mbështetjen e plotë të klubit. Për shkak të këtij procesi në vazhdim, Sandro dhe Newcastle United nuk janë në gjendje të ofrojnë komente të mëtejshme për momentin” – thuhet në komunikatën e klubit.