Përfitimet marramendëse financiare që klubet e Superligës Evropiane do t’i gëzonin

Superliga Evropiane u krijua mbi të gjitha për një arsye: rritjen eksponenciale të të ardhurave.

12 prej klubeve kryesore në Europë, si sportivisht, po ashtu edhe financiarisht, si Barça, Real, Milan, Juve, Inter, Liverpool, City, Man United, sa për të përmendur disa, zgjodhën të themelonin këtë event për të mos qenë më në monitorimin e UEFA-s dhe për të përfituar shumë më tepër sesa nga pjesëmarrja në eventet e organizuara nga UEFA.

Sipas një hulumtimi, klubet pjesëmarrëse do të mund të përfitojë rreth 3.5 miliardë euro, ndërkohë që mbështetësja finanaciare e këtij projekti është banka amerikane “JP Morgan”. Klubi që do ta fitojë Superligën do të përfitojë 400 milionë euro, 280 më shumë krahasuar me shumën që përfitohet nga suksesi i mundshëm në Champions Leaguen (arkëton maksimumi 120 milionë euro). 585 milionë mund të përfitohen në bazë të rezultateve, ndërsa pagesa fillestare për çdo klub do të jetë 488 milionë euro.

Një pjesë do t’u shpërndahet në bazë të koeficientëve që klubet kanë në futbollin europian dhe një pjesë në formë bonusesh. Këto shifra nuk janë zyrtarizuar ende nga Superliga Europiane, por, nëse konfirmohen, atëherë klubet pjesëmarrëse do të përfitonin trefish në krahasim me sa arkëtojnë aktualisht në UEFA Champions League. Akoma nuk dihet se si do të operohet me të drejtat televizive, por pritet që të gjenerohen rreth 10 miliardë euro, në krahasim me 4.5 miliardë që gjeneron Champions League.