Përfaqësuesja U21 shpreson ta mbyllë me fitore ciklin e suksesshëm

Shpresat e Kosovës nuk kanë gjasa për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian të verës së vitit të ardhshëm.

Por ekzistojnë gjasat teorike që përfaqësuesja U21 në futboll të përfundojë e dyta në grupin e saj të eliminatoreve dhe të lërë gjigantë evropianë pas vetes. Dhe këtë do ta synojë të martën (17:00), kur në Tel-Aviv do të ndeshet me Izraelin në ndeshjen e fundit eliminatore.

Edhe vendi i dytë duket i zorshëm, pasi Kosova duhet të mposhtë Izraelin dhe të shpresojë që Gjermania të mposhtë Irlandën, gjë që pritet dhe që Norvegjia në terren të vetin të humbë nga Azerbajxhani, që është pak e besueshme.

Në rast se Gjermania, që tashmë është kualifikuar, mposht Irlandën dhe Kosova Izraelin, atëherë “dardanët e rinj” do të sigurojnë vendin e tretë në grup me 15 pikë.