Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, shpreson se ylli i Chelseat, Eden Hazard, do t’i bashkohet klubit madrilen sapo të përfundojë sezoni 2018/19.
Hazard është përfolur për një transferim të mundshëm gjatë gjithë sezonit dhe tani besohet se ai do ta shkëmbejë Chelsean për Real Madridin, në një marrëveshje prej 130 milionë eurosh.
Perezi e komentoi të ardhmen e Hazardit, mirëpo tha se ai s’ka pasur mundësi të flasë me përfaqësuesit e Chelseat, pasi që ata janë duke u përgatitur për finalen e Ligës së Evropës kundër Arsenalit në Baku.
“Si supozohet të negociojmë me një klub që janë duke luajtur në një finale. Ne kemi qenë duke tentuar të bëjmë Hazardin lojtar të Real Madridit për shumë vite, por s’e kemi arritur këtë”, ka thënë Perez.
“Do të më pëlqente shumë që Hazardi të vijë në Real Madrid dhe me të vërtetë shpresoj që ai do të vijë. Ai është njëri ndër futbollistët më të mirë”.
Ky afat kalimtar i verës pritet të jetë mjaft i zënë për “Los Blancos”, pasi që trajneri i ri Zinedine Zidane dëshiron të bëjë revolucion në skuadrën që sezonin 2018/19 e mbylli në pozitën e tretë në La Liga dhe u eliminua nga Liga e Kampionëve qysh në 1/8 e finales.
Klubi ka qenë i lidhur edhe me transferimin e disa lojtarëve të tjerë, si Kylian Mbappe dhe Neymar, përderisa së fundi u raportua se kapiteni Sergio Ramos e do largimin nga klubi.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka insistuar se klubi madrilen nuk është i interesuar te dyshja e Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe dhe Neymar, duke tentuar t’i shuajë spekulimet për këta dy futbollistë.
Dyshja e Paris Saint-Germainit është përfolur për një transferim të mundshëm në Santiago Bernabeu këtë sezon, pasi që besohet se Real Madridi do të shpenzojë shumë para këtë verë.
Golashënuesi më i mirë i Ligue 1 këtë sezon, Mbappe, sugjeroi se mund të tundohet nga ndonjë klub me projekt të ri, ndërsa ish ylli i Barcelonës, Neymar, është përfolur për një kthim të mundshëm në La Liga.
Por, Perezi ka thënë se Real Madridi nuk është i interesuar për transferimin e këtyre dy futbollistëve.
“Nuk kam folur me Zidanen për Mbappen apo Neymarin, apo me askënd tjetër. Nuk kemi folur as me Mbappen e as nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Perez në një intervistë me Onda Cero’s El Transistor.
“Vitin e kaluar, ne thamë se nuk i donim ata dhe e njëjta gjë vlen edhe këtë vit. Nëse e duam ndonjë lojtar, do të flasim me klubin e tij”.







