Perez dhe Agnelli, humbësit më të mëdhenj pas dështimit të Superligës

Presidenti i Real Madrid Florentino Perez dhe homologu i tij i Juventusit Andrea Agnelli ishin humbësit më të mëdhenj të fiaskos jetëshkurtër të Superligës Evropiane (ESL), e cila rrezikon të njollosë imazhin e dy prej burrave më me ndikim në futbollin botëror.

Perez 74-vjeçar dhe Agnelli 45-vjeçar, u bashkuan nga e njëjta ambicie drejtuese për t’i bërë klubet e tyre përkatëse marka globale, gjithmonë duke gjeneruar para përmes të drejtave televizive dhe mbështetësve në të gjithë botën.

Vizioni i tyre u mishërua në projektin e Superligës, i cili tashmë dështoi. Agnelli, që është anëtarë i një prej familjeve më të fuqishme dhe më të pasura të Italisë, ka qenë në krye të Juventusit që nga viti 2010, gjatë së cilës kohë ata kanë fituar nëntë tituj të njëpasnjëshëm të Serisë A, por përfunduan nënkampionë dy herë në Ligën e Kampionëve.

“Futbolli nuk është më një lojë, por një sektor industrial dhe ka nevojë për stabilitet” argumentoi Agnelli të mërkurën për mediumet italiane.

Për Perezin, i rizgjedhur kohët e fundit pa kundërshtim si president i Real Madridit dhe i emëruar kryetar i ESL-së së re, ambicia e tij drejtuese ishte gjithashtu thelbësisht financiare.

“Futbolli duhet të vazhdojë të ndryshojë dhe të përshtatet me kohën. Futbolli po humbet tërheqjen e tij. Diçka duhet të bëhet”, tha Perez.

Të dy bartën barrën e kritikave ndërsa projekti i Superligës u shpërbë pas vetëm dy ditësh mes një reagimi nga tifozët e zemëruar.

“Ai është egoist. Ai mendon vetëm për Real Madridin. Në Villarreal, ne nuk kemi nevojë që Florentino të vijë dhe të na shpëtojë”, tha presidenti i Villarrealit, Fernando Roig.

Ndërkohë, ish-presidenti i Realit, Ramon Calderon shtoi: “Të thuash se ky projekt do të shpëtojë futbollin është një shaka”.