Përdorimi i mjeteve elektrike në Shqipëri, në 10 muaj 164 makina të rregjistruara

Pavarësisht se ka nisur regjistrimi i mjeteve të para elektrike, përdorimi i tyre në vendin tonë është tejet modest në raport me numrin e  përgjithshëm të mjeteve me karburant.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se për herë të parë për periudhën janar-tetor të këtij viti u regjistruan 164 mjete elektrike, ndërkohë që për mjetet e tjerë rezulton se janë regjistruar 5 209 mjete me vit prodhimi mbi 2009/Euro 4, më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Në këtë shifër nuk përfshihet regjistrimi i mjeteve më të vjetra se ky vit prodhimi, çka do të thotë se kjo shifër është edhe më e lartë. Pak kohë më parë DPSHTRR  njoftoi se do të rimbursojë çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike.

Bëhet fjalë për tarifat që paguhen aktualisht për kontrollin fizik, lejen e qarkullimit, targat standarde dhe certifikatën e pronësisë, me një vlerë totale prej 7 500 lekësh.

Stimulimi për futjen e këtyre mjeteve është mirëpritur nga ekspertët e mjedisit, të cilët kanë thënë më herët për TV SCAN se politikat për uljen e ndotjes duhet të orientohen drejt këtij lloj transporti.

Megjithatë, Sipas tyre,  rimbursimi i tarifave prej 7500 lekësh është simbolik, ndaj kanë kërkuar marrjen e masave të mëtejshme për të stimuluar blerjen e mjeteve elektrike.

Vende të ndryshme përdorin politika të ndryshme në këtë drejtim, por që kryesisht lidhen me dhënien e kredive favorizuese ndaj individëve, por edhe bizneseve që kanë flota të mëdha automjetesh, me qëllim zëvendësimine  tyre.

Ndërkaq, këto politika në vendin tonë duhet të shoqërohen edhe me ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për karikimine tyre, që aktualisht është tejet e kufizuar.