Superliga

Përballja për vendin e parë në Suharekë mes Ballkanit dhe Llapit, Liria pret Malishevën

Superliga e Kosovës rikthehet në aksion pas ndeshjeve të mesjavës, tani zhvillohet xhiro e 26-të.

Ndeshja kryesore e kësaj xhiro do të zhvillohet në Suharekë, ku lideri aktual Ballkani do të përballet me Llapin e pozitës së dytë.

Ballkani është nikoqir i llapjanëve dhe pritet një ndeshje fantastike në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Dy skuadrat në këtë sfidë vijnë pas humbjeve, ku kampioni u mposht në udhëtim te Fushë Kosova 2-0, derisa Llapi pësoi nga Malisheva 2-1.

Diferenca është vetëm një pikë në të mirë të Ballkanit që kryeson me 51 sosh, derisa Drita ndodhet e treta me 49 pikë.

Kjo është përballja e tretë këtë edicion mes dy skuadrave ku Ballkani ka një fitore 2-1 dhe Llapi një tjetër 5-3.

Ndeshja tjetër e ditës së sotme do të zhvillohet disa kilometra larg Suharekës, më saktësisht në stadiumin ‘Përparim Thaqi’ në Prizren.

Liria e fundit në tabelë dhe me gjasa minimale për shpëtim pret Malishevën që po kërkon daljen në Evropë.

Të dyja sfidat e ditës së sotme në elitën e futbollit kosovar fillojnë nga ora 13:00.