divorci

Për tre vjet e gjysmë 1935 raste të divorcit në Kosovë, ekspertët tregojnë si ndikon kjo tek fëmijët

“Deri sa vdekja të na ndajë” është premtimi që çiftet i japin njëri-tjetrit kur e kurorëzojnë dashurinë e tyre.

Por, disa nga ata nuk arrijnë t’i tejkalojë mospajtimet dhe pas një kohe vendosin t’i japin fund martesës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë shënuar 280 raste të prishjes së kurorëzimit.

Ndërkaq në të gjithë vitin 2020-të sipas ASK-së janë regjistruar gjithsejt 220 raste të ndarje mes çifteve bashkëshortore.

Në vitin 2019-të janë 722 raste, në vitin 2018-të janë 713 raste ku çiftet i dhanë fund martesës.

Të plotë buletinin mujor të Agjencionit të Statistikave mund ta gjeniKËTU

Informacionet e plota mund t’i merrni në faqe 8-të.

Sociologja Flaka Ymeri për Klankosova.tv tregon disa nga arsyet që çojnë në përfundimin e martesave.

Sipas Ymerit, faktorët që po i ndajnë bashkëshortët janë krijimi i lidhjeve në moshë të re dhe gjendja e rëndë ekonomike.

“Fenomeni i divorcit në shoqërinë tonë është çdo ditë në rritje. Si faktorë kryesorë që po vie deri tek divorcet janë krijimi i lidhjeve në moshë të re apo edhe diferencat e mëdha në moshë, mospërputhje në mendime si konflikt gjeneratash”.

“Faktorë të tjerë janë kushtet e rënda ekonomike, rritja e obligimeve familjare dhe mospërmbushja e tyre çojnë në konflikte që si përfundim çon tek divorci. Mospërmbushja emocionale dhe humbja e kujdesi ndaj partnerëve, jetesa në bashkësi familjare dhe në familje patriarkale. Pastaj arsyet tjera janë mospërballimi i presionit dhe mostoleranca për të zhvilluar jetë sipas planifikimi të familjes i shtyen që çiftet të kenë konflikte dhe të përfundojnë në divorc. Por ka edhe faktorë të tjerë shoqëror e social”.

Ajo thekson se edhe pandemia ka shkaktuar pasoja psiko-sociale që ka eskaluar edhe në dhunë mes çifteve, sidomos ndaj femrave dhe fëmijëve.

“Pandemia në një formë ka ndikuar që të ketë shumë divorce mes çifteve si pasojë e mbylljes dhe kufizimeve të shumta. Tek kategoritë me ekonomi të dobët ka pasur ndikim pas shumë çifte nuk i kanë përballuar kushtet e dobëta dhe nuk i’a kanë dalë të përmbushin nevojat materiale. Kjo më pas ka ndikuar duke shkaktuar pasoja psiko-sociale duke shfaqur edhe dhunë mes çifteve e sidomos ndaj femrave dhe fëmijëve”.

“Ka qenë një periudhë që çiftet duke e mospërballuar apo tejkaluar pandeminë në çfarëdo forme kanë përfunduar të divorcuar”.

Ajo shtoi se ndarja e prindërve krijon traumë për fëmijët duke ua rënduar gjendjen emocionale.

“Divorci i prindërve tek fëmijët ndikon jashtëzakonisht shumë pasi për fëmijët krijohet një traumē dhe mbjellet frikë për të marrë përgjegjësinë për jetën apo mbjellet ajo kulturë e dhunës apo ajo e atyre gjërave të padëshiruara që ka tejkaluar duke ia rënduar gjendjen emocionale fëmijëve duke i vënë në një kryqëzim për jetën. Por, asnjë fëmijë nuk meriton që të rritet me dhunën apo konflikte e abuzime mes prindërve sepse në të gjitha ato situata fëmiju është i pafajshëm”.

Ymeri thekson se çiftet mundohen të qëndrojnë të bashkuar shkaku i fëmijëve, por sipas saj kjo nuk funksionon nëse prindërit nuk kanë më dashuri mes vete.

“Çështja e fëmijëve është pjesë shumë e ndjeshme. Shumë prej çifteve qëndrojnë së bashku pasi ata kanë fëmijë.Por, një familje nuk funksionon asesi nëse prindërit nuk kanë dashuri mes tyre. Siç e dijmë familja është gjeneza e shoqërisë dhe nga prindërit buron dashuria, siguria dhe përmbushja e nevojave në aspektin emocional e shpirtëror që duhet ta gëzojë një fëmijë ose familje e shëndoshë. Nuk mendoj që një familje do të jetë produktive nëse mes prindërve nuk ka respekt dhe dashuri që të reflektohet tek fëmijët”.

Ndarjet nuk mund të përjetohen normalisht pa lënë pasoja psikologjike.

Psikologja Lule Alidema, në një intervistë për Klankosova.tv shpjegon se ndarja mund të krijojë pasiguri tek personaliteti i njeriut që në një të ardhme të hyjnë në një lidhje të re.

“Divorci përveç që është një problem social ai është dhe problem psikologjik, sepse ka të bëjë me shpërbërjen apo prishjen e një mardhënie martesore mes dy çifteve.Secili çift që hyn në lidhje martesore sigurisht se ajo lidhje u bazua në ndjenjë, dhe ashtu siç u ndje kur u përbë ashtu njejtë ndjehet edhe kur shpërbëhet. Ndjesia është e dyanshme dhe varësisht arsyjes së shkaktarit të prishjes së lidhes martesore dhe kohëzgjatjes në lidhje ajo do të ndjehet. Flitet për shpërbërje të një bashkim ndjenjash, mirëkuptimi, andaj dhe pasojat mund të janë evidente për kohë të gjatë, apo gjithë jetën, e aq më e rëndë kur në këtë mes ka fëmijë.”

“Me kohë mund të mos ta ketë intensitetin e ndjeshmërisë por sidoqoftë është e pashmangshme të harrohet. Pasoja që mund të mbetet është dhe pasiguria apo zhgënjimi për një lidhje të ardhme. Pas çdo rrënimi kuptohet lypset kohë për rikuperim”.

Alidema potencon se ndarja mes çifteve bashkëshortore mund të shkaktojë çrregullime të personalitetit tek fëmijët.

Ajo thotë se fëmijët ndërtojnë personalitetin qysh herët.

“Njeriu fillon të ndërtojë personalitetin e tij qysh si fëmijë. Është shumë e rëndësishme mënyra se si trajtohet fëmija gjatë zhvillimit dhe në çfarë rrethanash rritet.Fëmiju i cili ndeshet me situata të tilla si konflikte mes prindërve, keqtrajtime mes vete( prindërit) sigurisht se fëmija do të pësojë deformime të personalitetit të tij. Përveç jo edukimit të drejtë, ai fëmijë do të pësojë një vargj çrregullime psikologjike si: traumë, ankth, fobi, frustrime, konfuzione, mbyllje në vete, depresione të moshës, obsesione si vese apo fiksime të ndryshme, pamundësi përqëndrimi të vëmendjes, devijime të sjelljes (shtëpi, shkollë, shoqëri) kequshqyerje, disponim negativ, etj. dmth se fëmija do të pësoj emocionalisht pavarësisht nëse nuk e thekson apo shpërfaq”.

Psikologja shtoi se dashuria e fëmijëve për prindërit dhe e prindërve për fëmijën është instinkt dhe se ajo lind bashkë me njeriun.

“Për fëmijën prindërit janë gjëja më e vlefshme që kanë. Prindërit për fëmijën janë siguri, mbështetje, përkrahje, motiv, disponim etj, andaj në mungesë të njërit prind fëmija nuk do të ketë një zhvillim të përmbushur sikur do të duhej të ishte. Ai nuk e ka të mundur të bëj dallime ndjenjore mes prindërve se cilin e do më shumë mes prindërve. Njëanësi nuk egziston kur flitet për dashuri prindërore dhe anasjelltas. Dashuria për prind sikurse ajo për fëmijën është instinkt, ajo lind bashkë me njeriun.Fëmiju është fryt i dy prindërve, andaj sado faj të ka njëra palë asnjëherë nuk duhet munduar prindi që ta bind fëmijën për fajtorin e prishjes së lidhjes martesore. Fëmiju me kohë do ta gjykojëvet”.

Tutje Alidema theksoi se nuk do të ishte mirë të vie deri tek divorci por nëse dy palët binden se nuk ka ndjesi dhe arsye për të jetuar bashkë atëherë divorci është rruga më e drejtë.

“Divorce kishte dhe do të ketë gjithmonë, derisa të ekziston njerëzimi. Secili që e vendos të bëj divorcin ai veçse e di se do të ketë shqetsime emocionale. Nuk do të ishtë e mirë të vie deri te ndërprerja e një lidhje martesore. Mirëpo nëse është marrë ai vendim mes çifteve, atëherë ashtu siç është bërë marrëveshja ta lidhin martesën ashtu me marrëveshje  duhet ta bëjnë divorcin, pa dhunë, pa urrejtje të momentit, madje dhe pas ndarjes. Le të binden çiftet se kur humbët ndjesia dhe arsyeja e të jetuarit bashkë atëherë divorci është rruga më e drejtë, qoftë edhe nëse janë prindër”.

Psikologja Lule Alidema, tha se pala e cila e ka kujdesin për fëmijën pas divorcit nuk duhet të mbjell tek ata urrejtje për prindin tjetër.

Po ashtu ajo thekson se nuk duhet të i ndërpriten kontaktet e fëmijut me asnjërin nga prindërit.

“Pavarësisht që prindërit marrin vendimin për divorc, duhet përpjekje nga ana e prindërve që sa më shumë t’i shmangin debatet para fëmijëve, edhe pse vështirë të shmanget një problematikë e tillë, sepse sado përpjekje të bëhen fëmija absorbon rrethin. Fëmija që nga mosha dy vjeçare fillon të veprojë e gjykojë me logjikë, andaj e drejtë do të ishte tu sqarohet fëmijëve drejtë arsyen se sa të përdorin justifikime përfituese, pafajësie etj. Pala cila do ta ketë kujdesin e fëmijës pas divorcit nuk duhet tutje të vazhdojnë me mbjellje të urrejtjes, duke pasqyruar veten si të pafajshëm , sepse realisht asnjë problem nuk ndodhë pa qenë dy palët, fëmija dhe ashtu ka skemën e vet gjykuese, ai gjykon në formën e vet”.

“Ka raste kur fëmijës i ndërprehet kontakti apo komunikimi me njërën palë, gjë që është tepër e dëmshme për fëmijën.Në rast se bëhet kjo ndërprerje tek fëmiju do të mbes zbrazëtirë e theksuar emocionale. Sado që përpiqet pala tjetër ta plotësoj mungesën e prindit, duke ja plotësuar secilën dëshirë është e kotë, dashuria për prind është në natyrën njerëzore, është e pakushtëzueshme dhe e pazëvendësueshme”.

“Sidoqoftë nëse besoni se fëmiju u bindet fjalëve të njërës palë prapë nuk ka të bëj me bindje por me imponim. Ai nëse sot është i bindur, nesër do të gjykojë me logjikë të plotë, do të arrijë ndoshta të i mirëkuptoj prindërit por nuk do të fal për mungesën apo traumën që prindërit i shkaktuan. Nuk ka as nënë as baba të keq! Në këto raste fëmija është i pafajshëm, është vetëm viktimë e mosmarrëveshjeve të prindërve”.