Për tre muaj 25 grabitje në Kosovë, policia thotë se ka rënie të theksuar të këtyre rasteve

25 raste të grabitjeve janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë periudhës janar-mars.

Nga ky institucion thonë se kanë vërejtur rënie të theksuar të këtyre rasteve.

Sipas statistikave të PK-së, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë ndodhur gjithsej 46 grabitje.

“Si rezultat i angazhimeve dhe planifikimeve operacionale, vërehen rezultate të theksuara të rënieve të rasteve të grabitjeve. Personat e dyshuar të përfshirë në këto raste kryesisht përdorin edhe armë. Një numër i madh i tyre janë arrestuar nga Policia e Kosovës, të njëjtit ju përkasin moshave të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndryshe, policia të hënën ka njoftuar se në 24 orët e fundit ka ndodhur një vjedhje grabitqare në Prishtinë dhe një rast i grabitjes në Mitrovicë të Veriut.