Mjek

Për të shkolluar një mjek, shteti i Kosovës shpenzon deri në 100 mijë euro

Të rinjtë kosovarë që i kanë vënë vetës synim mbarimin e studimeve në ndonjërin prej universiteteve të shumta në vend, të ardhmen e tyre e shohin jashtë vendit. Enida Kavaja, studente e vitit të tretë në mjekësi, është njëra nga ato që nuk e përjashton opsionin e punësimit në shtetet perëndimore.

“…Në qoftë se e shoh që për avancimin tim kushtet jashtë janë hala ma të mira se në Kosovë, e kisha konsideroi si opsion…”

Sipas Lorik Zogajt, student i stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, kushtet dhe tregu i punës nuk janë të mjaftueshme për këtë numër të studentëve.

“…njëra prej arsyeve është se tregu nuk është mjaftueshëm i madh sa me plotësu numrin e studentëve që dalin prej fakultetit ose vet preferencat personale të studentëve që duan me studiu jashtë për arsye financiare ose ka drejtime apo specializime të cilat mundesh me studiu shumë ma mirë jashtë sesa në Kosovë…”

Kjo kategori e të rinjve, të cilët studimet I mbarojnë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa e më pasë ia mësyjnë perëndimit, i kushtojnë buxhetit të Kosovës deri në 100 mijë euro, thotë kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

“…deri në 100mijë euro kushton një mjek i shkolluar dmth flasim për shkollimin 6-vjeçar, dhe kjo është mendu se është shume e madhe, por nuk është sepse fillon prej rrogës se profesorit, harxhimeve të fakultetit, të spitalit ku e mbajnë praktikën. Dhe mendojmë që diku te 100 mijë euroshi është kostoja e shkollimit të një mjeku, pra shkollimi bazik, nuk po flasim për specializim…”

Sejdiu rikujton se rreth 650 mjekë kosovarë në gjashtë vjetët e kaluara kanë kërkuar dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, I cili nevojitet për punësim në shtetet perëndimore.

“…në këtë drejtim gjatë këtyre gjashtë viteve janë dikun rreth 650 mjek të cilët kanë marrë këtë dokument, kjo nuk do të thotë se krejt kanë shku, por, shumica prej tyre po. Janë mbi 450 mjek të cilët janë sistemuar apo janë punësu apo kanë fillu specializimin. Ata do të thotë se veçse janë largu nga Kosova. Viti i kaluar ka qenë rekordi, 220, ndërsa këtë vit deri në këtë moment kemi 129 mjek që është një numër më i vogël se i vitit të kaluar…”

Rektorati i Universitetit të Prishtinës, ka sajuar listën e programet më të kërkuara nga studentët./21Media