Për herë të parë Thaçi dhe PDK-ja nuk janë në të njëjtat ‘valë politike’. Ja ku dallojnë fuqishëm…

Presidenti Hashim Thaçi përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se Bashkimi Evropian duhet t’i japë peshë politike përfshirjes së vet në dialogun Kosovë-Serbi.

“Duke ulur nivelin dhe përgjegjësinë në një emisar pa kredibilitet nuk i ndihmon këtij qëllimi. BE’ja duhet t’i përkrahë të gjitha përpjekjet që çojnë kah arritja e marrëveshjes historike dhe të punojë me partnerë që japin rezultate”, ka shkruar Thaçi, raporton Ballkani.info.

Kjo kritikë e Thaçit vije pasi që BE-ja ka paralajmëruar emërimin e Mirosllav Lajçakut si emisar në dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë, duket se Thaçi dhe ish partia e tij, PDK për herë të parë nuk janë në të njëjtat valë politike.

Të paktën sa i përket emërimit të Lajçakut, shkruan Ballkani.info.

Ka qenë nënkryetari i parë i PDK-së, Enver Hoxhaj ai që e kishte mirëpritur propozimin e mundshëm të BE-së që ish ministri sllovak të caktohet i dërguar special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.

“Mirëpres vendimin e mundshëm që Mirosllav Lajçka të jetë i dërguar për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Ai e ka mbështetur Kosovën dhe Ballkanin për dekada dhe ka njohuri për secilin shtet dhe për rajonin. Ai është zgjidhje e mirë edhe për BE-në edhe për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hoxhaj vetëm tri ditë më parë.

Lajçak, ish ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, shtet ky që nuk e ka njohur Kosovën, shihet si jo kredibil për ta kryer këtë funksion. /Ballkani.info/