Për herë të parë, një refere do të drejtojë ndeshje të Championsit

Për herë të parë në turneun më prestigjioz kontinental të futbollit, Ligën e Kampionëve, një nga ndeshjet zyrtare do të drejtohet nga një grua, ka bërë të ditur UEFA.

Ndeshja ndërmjet Juventusit dhe Dinamo Kievit që do të luhet në Torino të mërkurën, do të ketë refere francezen 37-vjeçare Stephanie Frappart, që do t’i shtojë karrierës një tjetër rekord.

Francezja ishte e para grua që drejtoi një ndeshje të futbollit për meshkuj në Ligue 1 dhe ndërkombëtarisht u bë e njohur sepse drejtoi finalen e Superkupës Evropiane ndërmjet Liverpoolit dhe Chelseat, më 2019.

Ndeshja Juventus – Dinamo nuk ka shumë domethënie, pasi ekipi italian është kualifikuar, ndërkohë që ai ukrainas lufton për një vend në Europa League, gjë të cilën ia siguron vendi i tretë në grup.