Pavarësisht fitores

Për Hazard, Manchester City mbetet skuadra më e mirë në Premier League

Përkundër që Chelsea ia shkaktoi humbjen e parë në Premier League këtë sezon Manchester Cityt, ylli i “The Blues” mendon se “Citizens” mbeten skuadra për t’u mposhtur.

Golat e N’Golo Kante dhe David Luiz i dhanë 3 pikët londinezëve që me fitoren e tyre larguan nga kreu skuadrën e Guardiolës, me Liverpoolin që është lider i ri në Premier League.

Hazard është i bindur se Manchester City mbetet skuadra më e fortë në Premier League.

“Ndihemi shumë mirë, veçanërisht pas humbjes së mesjavës kundër Wolves. Ishte një ndeshje e vështirë, por në pjesën e dytë e kontrolluam takimin dhe shënuam dy gola. Në fund mendoj se e merituam të fitojmë. Kur ne humbim duam të rikthehemi te fitoret për tifozët, bordin drejtues dhe për gjithkënd. Sigurisht se një fitore e tillë të shijon edhe më shumë kur vjen ndaj skuadrës më të fortë të vendit”, deklaroi Hazard.

Sarri la jashtë dy qendërsulmuesit, Alvaro Morata dhe Olivier Giroud, ndërsa i besoi Hazardit atë pozitë, me anësorin belg që tregoi se i pëlqeu kjo pozitë të cilën e kishte luajtur edhe sezonin e kaluar, por sipas tij është pak e çuditshme për shkak se ka pak kontakt me topin.