Për gjysmë viti, Vjosa Osmani dhe kabineti i saj i bënë “rrush e kumbulla” mbi 75 mijë euro

Presidenca e Kosovës ka publikuar shpenzimet për periudhën janar-qershor 2022.

Sipas të dhënave zyrtare që ka publikuar Presidenca e Kosovës për shpenzimet e gjashtë muajve të parë, del se presidentja Vjosa Osmani së bashku me anëtarët e tjerë të presidencës ka shpenzuar gjithsej 75 mijë e 226.93 euro, shkruan Demokracia.com.

Sipas të dhënave, për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, presidentja Vjosa Osmani dhe kabineti i saj për këtë periudhë kohore ka shpenzuar 12 mijë e 658.64 euro.

Ndërkaq për biletat e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit ka shpenzuar 48 mijë e 968.70 euro.

Keq presidentja Osmani nuk ia ka lënë as me shpenzime për karburant. Sipas këtyre të dhënave për 6 muaj presidentja Osmani ka shpenzuar 9 mijë e 86.5 euro, shkruan më tutje Demokracia.com.

Ndërsa për dreka dhe darka zyrtare presidentja Osmani ka shpenzuar 3 mijë e 455.09 euro.

Në këto të dhëna bëhet e ditur se për koktej protokollar me rastin e Javës së Gruas, Zyra e Presidencës ka shpenzuar 1 mijë e 58 euro.

Në total shuma që ka shpenzuar presidentja Vjosa Osmani dhe kabineti i saj prej 19 anëtarësh për gjashtë muaj kanë shpenzuar hiq më pak se 75 mijë e 226.93 euro.

Po ashtu, Zyra e Presidencës është përkujdesur që të publikoj edhe të dhënat e administratës, ish-presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete.

Sipas këtyre të dhënave për tre muaj administrata, ish-presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete kanë shpenzuar 10 mijë e 929.27 euro. /Demokracia.com/