takim

Për çka biseduan Kurti e Stoltenberg herën e fundit?

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do ta takojë në Bruksel kryeministrin kosovar, Albin Kurti.

Deri më tani nuk dihet se cila do të jetë tema e bisedimeve mes zyrtarit të lartë të NATO-s dhe Kurtit.

Por ajo që dihet është se ata më 2 gusht patën një bisedë telefonike e cila u dominua nga zhvillimet e fundit në veri.

Stoltenberg tha se të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, njofton Klankosova.tv.

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, kishte shkruar ai në Twitter, njofton Klankosova.tv.

Telefonata ndodhi pas tensioneve në veri të vendit, për reciprocitetin që vendosi qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për letërnjoftimet dhe targat.

Stoltenberg dhe Kurti do t’i drejtohen mediave në orën 17:00, pas takimit të sotëm në Bruksel. Një takim të tillë do të ketë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i së mërkurës në NATO ndodh një ditë para takimit të Brukselit ku do të përballen Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.