Trajneri i Juventusit

Për Allegrin ndeshja me Young Boys është më e rëndësishme se derbi i Italisë kundër Interit

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka thënë se pëmbyllja e grupit si lider në Champions League është më e rëndësishme sesa fitorja në derbin e Italisë ndaj Interit që zhvillohet të premten në mbrëmje.

Allegri ka pohuar se Interi së bashku me Napolin janë rivalët e tyre në garën për titull në Serie A, me kampionët në fuqi që kanë një distancë prej 11 pikëve me “Nerazzurët” dhe 8 me napolitanët.

Vëmendja e Allegrit është te takimi i fundit në fazën e grupeve të Champions League që luhet mesjavën e ardhshme, me kampionin e Zvicrës, Young Boys.

“Nesër është “Derby d’Italia”, pavarësisht rradhitjeve në tabelë do të jetë një natë e mrekullueshme. Do të jetë një test fizik dhe mental kundër një skuadre që është rritur shumë dhe së bashku me Napolin janë kundërshtarët tanë. Nuk besoj se ata luajnë për vendin e dytë, Ancelotti e përmend tërë kohën, ne kemi ende përballje direkte, renditja mund të ndryshoj. Për ne ndeshja e mesjavës së ardhshme me Young Boys është më e rëndësishme për shkak se luajmë për vendin e parë në grupin e Champions Leagues. Ballafaqimi i nesërm ndaj Interit është vetëm një ndeshje”, theksoi Allegri.

Emre Can mund të rikthehet në fushë pas dy muajve jashtë për arsye të problemit me tiroide, teksa gjendja e mesfushorit tjetër, Rodrigo Bentancur do të vlerësohet pas një shqetësimi në shpinë.